20 Shkurti, Bregu: Shqiptarët kanë arsye për të festuar. Rama të votojë 3 ligjet

Ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka deklaruar sot se shqiptarët kanë arsye që të festojnë 20 Shkurtin, ditën e rrëzimit të bustit të ish diktatorit Enver Hoxha.Në një konferencë për shtyp, ministrja Bregu ka akuzuar edhe opozitën për bllokimin që sipas saj po i bën integrimit të vendit në Bashkimin Europian."Sot rilindasit e bllokut nuk kanë shprehur asnjëherë pendesë për etërit e tyre. Ata tentuan të bllokojnë anëtarësimin në NATO por u rrëzuan, tentuan të pengojnë liberalizimin e vizave por u rrëzuan, ndërsa tani po bllokojnë për të tretën herë marrjen e statusit e kandidatit por sërish do të rrëzohen” tha Bregu.Bregu gjithashtu i bëri thirrje kryesocialistit Rama që ditën e enjte të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit."I bëj thirrje zotit Rama që 21 Shkurt, ditën e enjte të votojë në Parlament 3 detyrimet që kërkohen nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit, përndryshe shqiptarët e kanë provuar edhe në 20 Shkurt të 1991 se kush bllokon aspiratat e tyre do të rrëzohet” është shprehur Bregu.Thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” u bënë simbol i protestave studentore dhe qytetarëve të Tiranës në 20 Shkurt të 1991.  Kjo datë ka mbetur në kujtesën historike të popullit shqiptar si dita kur u përmbys monumenti i diktatorit Enver Hoxha.