Nishani apel Prokurorëve: Hetoni denoncimet në media, mos prisni kallëzim
Presidenti Bujar Nishani, njëherësh kryetar i KLD-së i kërkon bërthamës së Prokurorisë të të rivitalizoje hetimet, duke hedhur dritë mbi çdo infornmacion të publikuar në media, pa pritur denoncim apo kallëzim të palëve.“Unë do të kërkoja nga grupet e Task-Forcës të ndërtuara në Prokurorinë e Tiranës dhe në prokuroritë e rretheve të tjera ku ato funksionojnë një rivitalizim më të madh të punës së tyre hetimore duke inkurajuar më shumë me metodologjinë e inicimit të hetimeve nga vetë Prokuroria, të vlerësimit të çdo indicie që vjen nga shoqëria, që vjen nga qytetarët, që vjen nga institucionet, që vjen nga media, në mënyrë të tillë që përmes transparencës, përmes angazhimit, përmes profesionalizmit, të kryhen të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ligjore. Natyrisht që kjo kërkon një pavarësi shumë të madhe të individëve që bëhen pjesë e kësaj strukture. Kjo kërkon një vlerësim dhe qëndrim strikt të tyre ndaj ligjit, një udhëheqje të tyre në të gjithë procesin dhe punën e tyre nga ajo çka parashikon ligji dhe legjislacioni ynë.Unë dëshiroj që metodologjia e hetimit kryesisht të jetë pjesë e një dinamike më të madhe të punës në tërësi të Prokurorisë, por në veçanti e Task-Forcës. Ne nuk na mungon legjislacioni. Përkundrazi, besoj që kemi një legjislacion të arrirë për sa i takon standardeve, hapësirave, që ai krijon për punën e të gjithë pjesëtarëve të administratës, veçanërisht në rastin e prokurorisë” tha Nishani.Gjatë një takimi me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Tiranës dhe njësisë task-force, Nishani i bëri thirrje drejtuesve të organit të akuzës që të jenë të pavarur në punën e tyre e të mos ndikohem as nga politika, as nga presioni.“Do të desha të them që të mos prisni t’ju bëjë të pavarur Presidenti i Republikës. Të pavarur, institucionin, punën tuaj, mund ta bëni dhe do ta bëni ju dhe vetëm ju! Sa më profesionistë që të jeni, sa më transparentë që të jeni në punën tuaj të përditshme, aq më shumë do të konsolidoni dhe do të forconi vërtet pavarësinë e institucionit, por dhe atë që qytetarët kërkojnë, krijimin e perceptimeve dhe të besimit mbi pavarësinë e institucionit”, u shpreh Presidenti Nishani.Ndërsa Prokurori i Përgjithshem Adriatik Llalla paralajmëroi rihapjen e dosjeve të bujshme të cilat janë pezulluar për munngesë provash.“Prokuroria shqiptare po bashkëpunon me mjaft institucione të tjera me synim fillimin e hetimeve për mjaft ngjarje të rënda të mëparshme, kryesisht të disa vrasjeve të ndodhura vite më parë, si vrasjen e punonjësve të drejtësisë, të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku veprimet hetimore janë pezulluar për shkak të moszbulimit të autorëve. Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me Shërbimin Informativ, me Policinë e Shtetit, po punon për ndjekjen e këtyre ngjarjeve. Ne kemi mbështetur dhe vijojmë të mbështesim strukturën e Task-Forcës për hetimin e mjaft rasteve të korrupsionit që janë momentalisht në proces hetimi”tha Llalla.Gjatë takimit u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional me qëllim luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.