Berisha: Shqipëria, një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së
Kryeministri Berisha vizitoi sot qendrën Burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri, e njohur si qendra ProTIK ku shprehu angazhimin e qeverisisë për veprimtarinë e suksesshme të saj.Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, u shpreh se “në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria - një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”."Pas kaq vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër. Shqipëria është tani një vend që e ka mbi 60 përqind shkallën e përdorimit të internetit. Është një vend, i cili në disa aspekte u bë pionier i procedurave dixhitale në botë. Falë ndihmës së USAID-it, Shqipëria u bë vendi i parë me prokurime 100 përqind elektronike. Falë përpjekjeve të gjithanshme, Shqipëria u rendit e dyta në botë, pas Vietnamit, për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit ishte një ndër 20 qytetet më smart dhe u përzgjodh nga një forum serioz ndërkombëtar. Pra Shqipëria ka bërë hapa të mëdha, por asnjë fushë dhe asnjë sektor nuk ka dinamizmin e ICT-së. Askund nuk mund të mbetesh më lehtë mbrapa sesa në këtë fushë. Në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria - një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”. Ambicioz, por plotësisht i mundshëm" theksoi Berisha.Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ky start i fuqishëm në këtë qendër dhe një kompleks tjetër masash do të bëjnë që Shqipëria në vitet që vijnë të ngjitet në krye të inovacionit, në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi."Shqipëria e informacionit është Shqipëria e dijes, Shqipëria e informacionit do të jetë Shqipëria e dijes, fushë që ka rol përcaktues në zhvillimin e gjithanshëm, por në radhë të parë në zhvillimin ekonomik të vendit. Me Fondin Shqiptaro - Amerikan ne kemi një diskutim pozitiv dhe do të bëjmë çmos që të krijojmë Tirana ICT Park. Tirana ICT Park do të jetë një zonë në kryeqytet ku sipërmarrësit dhe sipërmarrjet do të kenë mundësi të punojnë në kushtet më të mira të mundshme, të çliruar nga të gjitha llojet e taksave. Edhe kjo, si kusht shumë i rëndësishëm që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt destinacionit të saj “Shqipëria -superfuqi e hightech-ut në rajon”. Gara në këtë fushë është shumë e egër, por më të rinjtë e kanë fituar dhe do ta fitojnë gjithnjë këtë garë. Ndaj dhe shqiptarët janë më të rinjtë si komb në rajon. Nuk ka diskutim që ata do të ngjiten më shpejt se kombet e tjera në destinacionet e tyre. Nuk duhet të harrojmë se transformimet më epokale në këtë fushë i kanë bërë 20-22 vjeçarët" shtoi Berisha.