Fiorentina leksion Interit, "Vjollcët" shkatërrojnë "Zikaltrit" 4-1

Fiorentina ka kthyer Interin me këmbë në tokë, duke u dhënë një leksion të mirë zikaltërve të Stramaçionit. Me shumë probleme në organizimin e lojës dhe me një dominim total të vendasve nga Firence, Inter është mundur me rezultatin e thellë 4-1 në stadiumin "Artemio Franki". Tashmë trajneri i zikaltërve rrezikon seriozisht pankinën, pasi nuk po arrinë të mbajë këtë skuadër në nivelet ku kërkohet pasi tani është kaluar në renditje edhe nga kushërinjtë e Milanit.Ndeshja e mbrëmshme e dominuar në çdo aspekt nga të besuarit e Monteles ka patur dy protagonistë kryesorë, Adem Ljajiç dhe Stefan Jovetiç, të cilët kanë shkatërruar plotësisht prapavijën e Interit. Rastet për të shënuar gola të tjerë ishin aq të mëdha për skuadrën e Fiorentinës sa po të mos ishte  portieri Handanoviç në portë, rezultati mund të ishte edhe më i thellë. Ljajiç shënoi golin e avantazhit në minutën e 13-të, ndërsa në minutën e 33-të, ishte Jovetiç që gjeti rrugën e rrjetës duke dyfishuar shifrat. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e pastër të vendasve me rezultatin 2-0, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht Jovetiç, një nga ëndrrat e merkatos së shumë skuadrave të mëdha, çoi në 3 numrin e golave për skuadrën e tij dhe në 2 numrin e golave personal në këtë takim. Një dopiet personale në këtë sfidë të dominuar plotësishtë nga skuadra e Fiorentinës do të shënojë edhe Ljajiç, i cili do ta çojë rezultatin në 4-0. Vetëm një gjuajtje nga distanca e Kasanos bëri që Interi të shënonte golin e nderit në minutat e fundit të sfidës, shumë pak për një ekip që deri disa javë më parë pretendonte të luftonte për titull. Tashmë Interi rrezikon pjesmarrjen në kupat e Europës pasi është kaluar nga Milan në renditje. Zikaltrit rrezikohen edhe nga Fiorentina që tani është vetem 1 pikë larg.