Shkodër, furtunë në Këshillin e Qarkut, ikin 50 punonjës
Viti i ri ka nisur me reforma dhe në Shkoder, ku i pari institucion që është prekur është ndërmarrja e rrugëve rurale.Stafi i saj është reduktuar dhe nga 110 punonjës që mbyllën 2014-en, sot ajo ka vetëm 60.Ky institucion që është pjesë e këshillit të qarkut ka ndjerë edhe prekjen më të madhe nga reduktimi i numrit të punonjësve të administratës, pasi ministria e Financave ka shkurtuar fondin e pagave.Për kreun e Këshillit të Qarkut Maxhid Cungu, kjo reformë do të ndikojë edhe në përformancën e institucionit, pasi specialistët do të hezitojnë të afrohen me këtë nivel pagash.Shkurtimi i stafit tek rrugët rurale do të ketë efekt negativ, veçanërisht në këto ditë me dëborë e ngrica. Kjo edhe për vetë specifikën që ka Shkodra si qark.Si pasojë e uljes së përqindjes së transfertës së pakushtëzuar që mund të përdoret për pagat e personelit të administratës, në 15 për qind, nga 50 për qind që ka qenë në vitet e mëparshme, si edhe për shkak të udhëzimit të Ministrisë së Financave që pengon përdorimin e të ardhurave të vetë qarqeve për rrogat e nëpunësve, të gjitha qarqet në gjithë vendin pritet t’i nënshtrohen ristrukturimit.