Franca tre ditë në zi, Hollande: Do vazhdojmë ta mbrojmë lirinë

Në një fjalim prekës para popullit të tij në këtë ditë të vështirë, Presidenti francez, François Hollande, ka shpallur tri ditë zie kombëtare, duke filluar nga e enjtja ku do të mbahet edhe një minutë heshtje në mesditë.Ai ka vlerësuar gazetarët e revistës "Charlie Hebdo" që u masakruan gjatë paradites së të mërkurës në zyrat e tyre të punës, duke i kërkuar popullit të qendrojë i bashkuar."Ky ishte një sulm ndaj lirisë. Duhet të kuptojmë se bashkimi është arma jonë. Asgjë nuk mund të na ndajë. Franca është një komb i madh kur vihet nën presion. Jemi më të fortë se armiqtë tanë kur qendrojmë të bashkuar. Do të fitojmë! Asgjë nuk do të na bëjë të heqim dorë nga vendosmëria jonë.Rroftë Republika! Rroftë Franca! Kanë vdekur karikaturistë mjaft të talentuar, gazetarë guximtarë. Ata kanë lënë shenjën e tyre në breza të tërë francezësh përmes ndikimit, lirisë dhe pavarësisë së rrallë. Dua t'u them atyre se këtë mesazh të lirisë do të vazhdojmë ta mbrojmë në emër të tyre".Ndërkohë, anembanë Europës, njerëzit dolën nëpër sheshet kryesore për të treguar mbështetje ndaj viktimave të ngjarjes tragjike.Në Paris, rreth 35 mijë vetë u mblodhën në qendër të kryeqytetit në heshtje për të shprehur solidaritetin me viktimat e masakrës.Duke mbajtur slogane si "Liria e shtypit nuk ka çmim", njerëzit shprehnin shokun dhe thanë se kishin dalë në rrugë për të treguar se ishin të bashkuar përballë dhunës.Në Londër, qindra vetë u mblodhën në sheshin “Trafalgar” duke mbajtur parrullën e famshme tashmë "Unë jam Charlie" dhe të tjera që shprehnin mbështetjen ndaj popullit francez dhe lirisë së shtypit.Por kishte edhe nga ata që bënë thirrje që të mos kufizoheshin liritë e popujve europianë përballë kërcënimeve të terroristëve. Tubime të ngjashme u mbajtën edhe Bruksel, pranë Konsullatës franceze në kryeqytetin belg, por edhe në Madrid.Revista satirike "Charlie Hebdo" është e famshme në Francë për sulmet i ronike ndaj udhëheqësve politikë dhe fetarë të ndryshëm dhe ka publikuar në disa raste karikatura edhe të profetit Muhamed.Në rrjetet sociale, ekstremistët fetare kishin paralajmëruar disa herë se revista do ta pësonte për këto veprime qesharake.