Rama premton: Gati të bëj gjithçka që të shoh opozitën në Kuvend

Kryeministri, Edi Rama, e cilesoi bojkotin e opozitës të dëmshëm jo vetëm për të, por për gjithë vendin.Ai u shpreh i gatshëm për të plotësuar çdo kërkesë të saj, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e fundvitit me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.“Fakti që opozita nuk është në parlament nuk dëmton opozitën, por dëmton vendin dhe e cënon në sytë e të tjerëve. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që të kthehen në vendin e punës, por mund të them se jemi gati për të bërë gjithçka që na kërkojnë”.Kreu i qeverisë rikthesoi se SHBA mbetet aleati më i madh i Shqipërisë dhe shembulli për tu ndjekur.“Jemi me fat që jemi pjesë e projektit të BE-së, ashtu siç jemi me fat që një pjesë e botës së organizuar është nën ombrellën e NATO-s, si dhe jemi me fat që kemi një aleat si SHBA. SHBA na tregoi edhe njëherë se çdo të thotë të jesh një demokraci dhe të duash të jesh kështu, pavarësisht kostos që kjo ka. Sa vende të tjera do të ishin të gatshme të tregonin dobësinë e tyre? Ne, shqiptarët, morëm provën se jemi në anën e duhur të sigurisë, duke qenë besnikë të SHBA”.Në lidhje me çështjen e anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama përsëriti frazën e shprehur pak ditë më parë në Bruksel, se nëse Europa është e lodhur nga zgjerimi, Ballkani do të lodhet nga durimi.Në lidhje me marrëdhëniet me Serbinë, Rama uroi që kryesimi i OSBE-së në fillim të vitit do t'i shërbeje për të rritur standaret për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe përmirësim të raporteve me fqinjët.“Në 2015 Serbia bëhet vendi i parë i rajonit që merr kryesinë e OSBE-së. Shqipëria do ta mbështesë Serbinë në këtë detyrë të re. Shpresojmë që këtë progres të mund ta konstatojmë edhe në zbatimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Preshevë. Serbia nuk është më armiku ynë, por fqinji që duhet kthyer në partner real për të ecur në të ardhmen e përbashkët evropiane”.Kryeministri Rama gjithashtu njoftoi se do të ketë një tjetër mbledhje të përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, pas mbledhjes që u mbajt në janar në Prizren.“Më vjen mirë që kjo fjalë vjen pas formimit të qeverisë së Kosovës, pasi ne shqiptarët shpesh jemi rrëzuar përpara pengesave sepse nuk kemi mundur të biem dakord me njëri-tjetrin. Mirëpres Kryeministrin e Kosovës që u nis në Prizren janarin e këtij viti për të çuar përpara projektet për arsimin e gjeneratës tjetër, turizmit, bashkimit doganor e evropian të dy vendeve tona. Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e një rajoni që ka gjetur më në fund paqen pas një kohe të gjatë”, tha Rama.Rama informoi se në maj të vitit të ardhshëm do të zhvillohet në Tiranë një sesion i posaçëm i Forumit Ekonomik të Vjenës, që zhvillohet edhe përpara Samitit të rradhës të Ballkanit Perëndimor, që pas Berlinit, më 2015 do të mbahet në kryeqytetin austriak.