Vrasja e Ministrit palestinez, palët nuk bien dakord për autopsinë
Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë u përplasën të enjten për rezultatet e autopsisë së Ministrit palestinez, Ziad Abu Ein, të vrarë një ditë më parë gjatë një proteste në Bregun Perëndimor, pasi u kap për fyti nga një polic izraelit."Rezultatet e autopsisë vërtetuan se Ziad Abu Eini u vra nga forcat pushtuese izraelite", tha Ministri palestinez i Shëndetësisë, Xhavad Avadi, në mbledhjen e kabinetit në Ramallah.Incidenti është vetëm i fundit që i shtohet ngjarjeve të dhunshme me pasojë humbje jetësh nga të dy palët, në Jeruzalem, Tel Aviv dhe Bregun Perëndimor.Edhe Drejtori i Institutit Mjeko-ligjor palestinez, Saber Al-Alul, tha se mjekët jordanezë dhe palestinezë që kishin qenë të pranishëm në autopsi ishin të mendimit se vdekja nuk kishte ardhur për shkaqe natyrale.Por shefi i Institutit Mjekoligjor Izraelit, Çen Kugel, i cili ishte gjithashtu pjesëmarrës në autopsi, i hodhi poshtë pretendimet e palës tjetër.Ai tha se të gjithë mjekët kishin rënë dakord se Ministri kishte vdekur për shkak të një ataku në zemër dhe se vuante prej kohësh nga një sëmundje në zemër."Nuk ka asnjë dëshmi që ai është goditur në gjoks me armë apo mjete të tjera. Shenjat që ka në gjoks janë për shkak të përpjekjeve për ta ringjallur dhe për këtë ranë dakord të gjitha palët", tha Kugel.Pas ceremonisë mortore të Minsitrit, në të cilën ishin të pranishëm mijëra vetë, të rinj palestinezë u përleshën me ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor.Ministrit iu krye një ceremoni shtetërore, që nisi nga zyrat presidenciale në Ramallah e deri në varrezat, ndërkohë gjatë gjithë rrugës pati të shtëna me armë.Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, Izraeli ka përforcuar Bregun Perëndimor me trupa shtesë, megjithatë duket se mundësitë e rikthimit të qetësisë janë të pakta.