Akuzat e Dick Martit, emërohet prokurori i ri i BE-së për krimet e luftës në Kosovë

Amerikani, Devid Shvendiman, është emëruar në postin e Kryeprokurorit të grupit hetues të Bashkimit Europian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Europës për krime lufte në Kosovë.Shvendiman pason në këtë post prokurorin amerikan,Klint Uilliamson, i cili u tërhoq në gusht të këtij vitit nga kjo detyrë.Sipas njoftimit të grupit hetues, Shvendiman është një prokuror me përvojë të madhe profesionale, pas një karreire të gjatë në nivelet më të larta të drejtësisë amerikane dhe ndërkombëtare.Megjithatë, Prokurorin e pret një punë e vështirë, pasi pararendësi i tij, Uilliamson pati deklaruar në korrik të këtij vitit se zyrtarë të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.Në vitin 2011, Uilliamson mori përsipër të hetojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Martit, në vitin 2010, për krime lufte, përfshirë edhe trafikimin me organet e personave të rrëmbyer.Ai tha se "është përballur me sfidë për mbledhjen e dëshmive mbi këto pretendime. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton se grupi hetues ka hequr dorë dhe se hetimet do të vazhdojnë, meqë ekziston dyshimi se një krim i këtillë ka ndodhur në masë të kufizuar.Ai tha se provat do të jenë të mbyllura dhe nuk do të shpalosen deri në fillimin e punës së gjykatës së posaçme, themelimi i së cilës është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në prill të këtij viti.Në deklaratën për shtyp të lëshuar nga Bashkimi Europian, ky i fundit zotohet se do të punojë nga afër me qeverinë e Kosovës në rrugën e integrimit të saj europian, duke e këshilluar në këtë kontekst të vazhdojë bashkëpunimin me EULEX-in dhe gjykatën speciale.