Basha dhe Rama drejt marrëveshjes, opozita gati të rikthehet në Kuvend

E enjtja e ardhshme me shumë mundësi do të jetë dita kur kriza politike do të marrë fund, qoftë edhe përkohësisht.Ka qenë vetë kreu i opozitës, Lulzim Basha, që ka lënë pas muajsh bojkoti, shtegun e hapur nga selia e partisë së tij drejt Kuvendit.“Partia Demokratike është e gatshme të hedhë hapin tjetër të saj, së bashku me aleatët, pra opozita shqiptare është e gatshme, dhe jo vetëm është e gatshme, por është propozuesja e daljes nga kjo situatë.Nuk jemi ne dhe nuk kemi qenë ne për asnjë çast pengesa, por pengesa kanë qenë ata që thoshin fillimisht se nuk e dimë se çfarë kërkon opozita, pastaj thonin ia kemi plotësuar kërkesat opozitës, por që shpresoj sot, të përballur me solidaritetin midis së majtës dhe së djathtës europiane, për të ndalur praktikat e keqqeverisjes parlamentare dhe asgjesimit të mbikqyrjes parlamentare, përmes shkeljes së Kushtetutës dhe angazhimit të muskulit kriminal në Parlament, do të reflektojnë, shpresoj të reflektojnë, u bëj thirrje të reflektojnë. Topi është qartësisht në fushën e tyre”.Para daljes në media me deklaratën që ndez dritën jeshile për fundin e krizës politike, kreu i opozitës shqiptare ka marrë zyrtarisht kërkesën e dy aleatëve të tij për tu rikthyer në Kuvend.I pari që e ka bërë të qartë vendimin për t’iu rikthyer jetës parlamentare seancën e radhës ka qenë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, që në fakt është zgjedhur deputet prej Partisë Demokratike.“Shpresojmë që zgjidhja të jetë pozitive për të rikrijuar klimën e duhur që opozita të jetë në parlament. Kryetari i PD është ai që udhëheq procesin. Më datë 18, shpresoj do jemi të gjithë, me shpresë të Zoti.Jam i bindur se bashkë me mua do të jenë dhe disa deputetë të tjerë, por shpresoj që e gjithë opozita të marrë pjesë në punimet në parlament. Shpresoj të kemi lajme të rëndësishme nga mbledhja që mbajti sot kreu i PD, Basha. Shpresoj për arritjen e një marrëveshjeje, që në sallë të jenë edhe përfaqëuesit e opozitës shqiptare”.Menjëherë në selinë blu është shfaqur aleati më besnik i demokratëve, kreu republikan Fatmir Mediu, i cili ndryshe nga kolegu Shehi, zgjidhjen e sheh tek qeveria.“Unë mendoj që kemi një qëndrim të qartë, parlamenti do të funksionojë sipas rregullores dhe kushtetuës. Kemi shqetësimin përsa i përket për situatat që ka ngritur opozita. I takon qeverisë që të krijojë marrëdhëniet e duhura që opozita të ketë rolin e saj në parlament dhe më pas cështje të tjera siç është dekriminalizimi i parlamentit.Në rast se kjo zgjidhje nuk vjen atëherë kjo qeveri i ka hipur mbi shpina qytetarëve dhe nuk pyet as për ligj as për Kushtetutë”.Mesazhet e aleatëve dhe të Partisë Demokratike vinë vetëm një ditë pas nisjes së negociatave në Bruksel mes qeverisë dhe Parlamentit Europian për të rikthyer opozitën në tempullin e demokracisë.Deputetët demokratë kanë vetëm një rrugicë nga selia e partisë për të zënë vendet e lëna bosh në korrik pas incidentit të dhunshëm me deputetin Gent Strazimiri në Kuvend.