KOKSH: Ligj për të ndëshkuar penalisht sportistët që dopohen
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka kryer një mbledhje urgjente pas ngjarjeve të fundit, ku Daniel Godelli, Hysen Pulaku dhe Romela Begaj rezultuan pozitiv në analizat e antidopingut në botërorin e Kazakistanit.Kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, shprehu të gjithë shqetësimin e institucionit që ai drejton, duke kërkuar nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes një shpjegim sa më të detajuar.“Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar shprehet shumë i shqetësuar ndaj situatës se krijuar javën e fundit, me 3 raste e dopingut në sportin e peshëngritjes, sidomos kur bëhet fjalë për 3 peshengrites, fitues të medaljeve Botërore dhe Europiane.Për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i KOKSH i kërkon me urgjencë një informacion sa më të detajuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në lidhje me çështjen në fjalë, për përdorim substancash të ndaluara nga sportistët e dyshuar”.Më tej Bezhani kërkoi hartimin nga shteti të një ligji që të ndëshkojë penalisht të gjithë ata sportistë që dopohen.“Duke patur parasysh gjendjen e krijuar në peshëngritjen shqiptare për shkak të dopingut, pasi ky fenomen prej vitesh po shfaqet në këtë sport, mendojmë se duhet të mblidhet urgjentisht si Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme ashtu dhe Ministria e Shëndetësisë për ta futur përdorimin e dopingut nga sportistët në sport në kodin penal, si një vepër të dënueshme ligjërisht nga shteti”.Rastet e fundit shënuan një nga ngjarjet më të errëta në historinë e sportit shqiptar, ku zhgënjimi është absolut pas entuziazmit që me të drejtë shoqëroi ato triumfe, e që me sa duket po rezultojnë në mashtrime të patolerueshme.