BERZH me strategji për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabati nënshkruan sot Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe aktivitetet e BERZH-it në Kosovë. Marrëveshja mundëson shtrirjen dhe funksionalizimin e BERZH-it në tërë territorin e Kosovës.Pas këtij nënshkrimi, kryeministri Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, ka falënderuar për Marrëveshjen e nënshkruar“Jam i sigurt se Kosova do të jetë përfituese e madhe në projekte të ndryshme. Dëshiroj t’iu falënderoj personalisht për kontributin tuaj dhe të ekipit tuaj që Kosova të bëhet anëtare e BERZH-it, edhe pse Republika e Kosovës ka qenë përfituese e programeve të ndryshme të BERZH-it edhe para se të bëhej anëtare”, ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se që nga viti 1999, BERZH përmes programeve të ndryshme ka dhënë kontribut të madh në fuqizimin e sektorit privat në Kosovë.“Që nga atëherë deri më 2012, BERZH ka zgjeruar portfolion e investimeve në 66 milionë Euro duke zbatuar kështu rreth 29 projekte të ndryshme në sektorin privat. Sot, falë përkrahjes së BERZH-it, ne kemi biznese private që janë lider në aspektin e teknologjisë që aplikojnë. Në bashkëpunim me institucionet vendore është hartuar strategjia 3 vjeçare e BERZH-it për Kosovën. Tri orientimet strategjike të identifikuara në këtë strategji përfshijnë përkrahjen e privatizimit dhe zhvillimin e sektorit privat, përkrahjen e komercializimit, konkurrencës dhe përfshirjes së sektorit privat në infrastrukturë si dhe promovimin dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe mineraleve.Këto orientime strategjike janë në një vije me prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoi më tej kryeministri Thaçi.Nga ana e tij, Presidenti i BERZH-it Suma Chakrabati ka falënderuar kryeministrin Thaçi për angazhimet e tij që Kosova të bëhet pjesë e kësaj Banke. Me këtë rast, ai tha se gjithë Bordi dhe Menaxhmenti në BERZH janë të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për të kaluar tranzicionin drejt një ekonomie me treg të hapur.“Ne duam të përmirësojmë jetën e njerëzve në Kosovë. Kryeministër, ju folët shumë hapur për projektet që ne tashmë i kemi arritur këtu, në 13 apo 14 vitet e fundit. Është e vërtetë se ne kishim projekte dhe mbi 60 milionë euro të investuara tashmë në këtë vend. Ky ishte vetëm fillimi”, ka thënë ai.Presidenti Suma Chakrabati po ashtu ka thënë se angazhimi do të rritet, pasi ekipi i BERZH-it që do të punojë në Kosovë do t’u ofroj shanse të gjithë njerëzve për të pranuar mbështetjen nga ky institucion.Republika e Kosovës është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), më 17 dhjetor 2012.