Komisioni i jashtëm i PE miraton rezolutën për Kosovën
Komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot rezolutën e eurodeputetes, Ulrike Lunaçek mbi progres-raportin e Komisionit Europian për Kosovën, ku mes të tjerash inkurajohen 5 vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta ndërmarrin një hap të tillë.Gjithashtu në rezolutë mirëpritet dialogu i nivelit të lartë mes Prishtinës e Beogradit i ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Ashton, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë lidhur me rezultatet e bisedimeve.Në rezolutë theksohet se ndarja e Kosovës nuk është alternativë e pranueshme ndërsa mirëpritet mbështetja për integritetin territorial të Kosovës dhënë nga Komisioni Europian.Në draft i bëhet thirrje autoriteteve të Kosovës të vazhdojnë përpjekjet për tu afruar me minoritetin serb veçanërisht në veri të vendit në mënyrë që të garantohet një integrim më i gjerë në shoqëri.Po kështu i bëhet thirrje autoriteteve të Kosovës të përmbushin katër prioritetet afatshkurtra për nisjen e negociatave për MSA-në ndërsa shprehet shqetësimi për mungesën e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Anëtarët e komisionit të jashtëm të PE-së miratuan edhe progres raportin për Serbinë ku eurodeputetët theksuan qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës.