Maqedoni, opozita do të dorëzojë mandatet
Opozita maqedonase paralajmëroi se do të dorëzojë mandatet e deputetëve në rast se nuk do të ketë marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pako me ato lokale.Kjo u paralajmërua sot nga deputeti i opozitës, Goran Misovski, i cili theksoi se qëndrimi i tyre është i qartë dhe i prerë se nuk do të marrë pjesë opozita në zgjedhjet lokale të 24 marsit, në rast se nuk do të ketë në pako edhe zgjedhje parlamentare.“Dua t’i bëj me dije kryeministrit Nikolla Gruevski, se pa marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, opozita nuk merrë pjesë në zgjedhjet e caktuara lokale”, paralajmëroi Misovski, duke informuar edhe për mundësinë e dorëzimit të mandateve.Sipas tij, çfarë i duhen mandatet opozitës në një shtet policor-partiak dhe ku policia me dhunë nxjerrë deputetët dhe gazetarët nga Parlamenti.“Dënimi për VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevskin patjetër duhet të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, deklaroi Misovski, i cili vjen nga radhët e partisë opozitare, Partia e Re Social Demokrate. Analistët kanë komentuar ditëve të fundit se në rast se opozita do të dorëzojë mandatet, në bazë të rregullativës ligjore, mund të ndodhë shpërbërja e Parlamentit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.