SHBA kërkon plan të përbashkët Kosovë-Serbi për veriun

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të formulojnë një plan të përbashkët për veriun e Kosovës, ku do të përfshihet edhe zhbërja e strukturave paralele. Deklarata është bërë nga Ian Kelly, ambasador i SHBA-së në OSBE i cili ka mbështetur edhe raportin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, i cili përgëzoi kryeministrat e dy vendeve për “përkushtimin e tyre ndaj dialogut të ndihmuar nga BE-ja, në Bruksel”, si dhe “vullnetshmërisë së të dyjave, Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, që të arrijnë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve”.“Ne mirëpresim përpjekjet e të dy qeverive që të zbatojnë Marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, dhe të emërojnë zyrtarët ndërlidhës që do të punojnë drejt përmirësimit të komunikimit mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët tani duhet të punojnë në mënyrë konstruktive që të formulojnë një plan për veriun e Kosovës, përfshirë zhbërjen e institucioneve paralele”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në OSBE, Ian Kelly.