Bulgaria akuzon grupin Hezbollah për shpërthimin në Burgas
Qeveria bullgare ka akuzuar militantët e Hezbollahut për sulmin me bombë në një autobus në Burgas vitin e kaluar ku u vranë gjashtë persona. Izraeli thotë se kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të bindur komunitetin ndërkombëtar që zyrtarisht ta cilësojë Hezbollahun si grup terrorist.Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu falënderoi qeverinë bullgare për atë që ai e quajti hetim të plotë dhe profesional të sulmit të 18 korrikut, që vrau pesë turistë izraelitë dhe një shofer bullgar në qytetin bregdetar Burgas.Shtetet e Bashkuara gjithashtu përgëzuan Bullgarinë për hetimin e plotë të sulmit në Burgas. Në Departamentin e Shtetit, zëdhënësja Viktoria Nuland, tha se SHBA i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe të tjerëve për të ndërmarrë veprime të forta kundër Hezbollahut.Komisionerja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Kethrinë Eshton tha se terroristët që planifikuan dhe kryen sulmin në Burgas duhet të sillen para drejtësisë. Por ajo gjithashtu theksoi nevojën për një reflektim mbi rezultatin e hetimit, dhe tha se shtetet anëtare të BE-së do të diskutojnë një përgjigje të përshtatshme bazuar në të gjithë elementët e identifikuar nga hetuesit.Drejtori i Europolit, Rob Wainwright vuri në dukje se sulmi nuk ishte një bombardim vetëvrasje, por një shpërthim me tele-komandë, dhe tha se ndoshta është kryer nga një celulë e vogël me lidhje në Liban. Ai shtoi se Europoli nuk ka zbuluar ndonjë lidhje mes sulmit në Burgas dhe Iranit, vend që fuqimisht mbështet Hezbollahun, financiarisht dhe politikisht. Hezbollahu ka mohuar se ishte i përfshirë në bombardimin e vitit të kaluar