Nishani pret zv/kryeministren Arifi: Integrimi euro-atlantik, në interes të shqiptarëve
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Zv/kryeministren e Maqedonisë për Çështjet evropiane, Teuta Arifi, e cila ndodhet për vizitë vendin tonë.Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar po luan një rol të rëndësishëm për proceset demokratizuese dhe integruese të Republikës së Maqedonisë si edhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të cilat përbëjnë një shembull të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë për rajonin e Ballkanit.Kreu i Shtetit vuri në dukje se integrimi evropian është një objektiv madhor për Shqipërinë që mbështetet nga një platformë e qartë. Shkëmbimi i përvojave ndërmjet dy vendeve tona dhe vendeve të tjera të rajonit është i rëndësishëm për ecjen me ritëm të shpejtë të të gjithë vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit evropian.Presidenti Nishani i konsideroi përpjekjet për reformat dhe arritjen e standardeve evropiane si mënyrën e vetme që qytetarëve të vendeve tona t’u ofrohen shërbime të standardeve evropiane.Në vijim, Zëvendëskryeministrja Arifi pasi shprehu dakortësi me opinionet e Presidentit Nishani, u shpreh se integrimi euro-atlantik mund të shfrytëzohet nga vendet e Ballkanit për të përshpejtuar proceset demokratizuese dhe për të adresuar problemet etnike në një frymë të re evropiane.Arifi nënvizoi se integrimi euro-atlantik është në interes të shqiptarëve në Maqedoni dhe të gjithë shqiptarëve në rajon.Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministrja Arifi ndanë të njëjtin mendim se përgatitja dhe zbatimi i projekteve ndërkufitare dhe rajonale janë instrumentë në shërbim të zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale të qytetarëve në të dyja anët e kufirit, mundësi për nxitjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, për zgjerimin e tregut dhe daljen në tregjet përtej rajonit si dhe për përfitimin e mbështetjes financiare evropiane.