Ngushëllojnë Vals e Putin. Ministri francez i Ekonomisë: Kompania do mbijetojë dhe pa të

Kristof de Marzheri, Shefi Ekzekutiv i gjigantit të naftës "Total", humbi jetën mbrëmë kur avioni mbi të cilin po udhëtonte u përplas me një makinë për pastrimin e borës në aeroportin ndërkombëtar të Moskës, Vnukovo.E ndërsa punonjësit e kompanisë janë të shokuar nga ngjarja, mësohet se pasuesi i tij në detyrë do të jetë një njeri brenda kompanisë.Në një deklaratë për mediat, kryeministri francez, Manuel Vals tha se "Franca kishte humbur një biznesmen lider që shndërroi kompaninë Total në një gjigant botëror. Një udhëheqës në industri dhe atdhetar".Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi ngushëllimet e tij përmes një deklarate të lëshuar në Kremlin ku citohej se "Presidenti i vlerësonte së tepërmi aftësitë e zotit Marzheri dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm jo vetëm në përmirësimin e marrëdhënieve franko-ruse, por edhe më gjerë".De Marzheri ishte një prej mbështetësve më të mëdhenj të politikave ruse për energjinë që pas fillimit të konfliktit me Ukrainën.Ndërkohë, Ministri francez i Ekonomisë, Emanuel Makro, siguroi se sektori i energjisë në Francë mbetet i shëndetshëm."Nuk kemi pse të shqetësohemi për të ardhmen e kompanisë Total. Kristof de Marzheri ishte një menaxher i madh dhe menaxherët e mëdhenj ndërtojnë kompani që mund të vazhdojnë të kenë sukses edhe pa të", tha Makro në një intervistë.“Total” është kompania e katërt më e madhe në Europën perëndimore për përpunimin dhe tregtimin e naftës, pas Exxon, Royal Dutch Shell dhe Chevron.