Kobani: Sulmet amerikane zmbrapsin ISIS

Forcat ajrore të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara duket se po arrijnë të zmbrapsin militantët e shtetit islamik nga Kobani. Një zyrtar i lartë amerikan bëri të ditur se ekstremistët po tërhiqeshin nga qytetit për shkak të sulmeve ajrore.Gjatë ditës së djeshme u raportua që militantët e ISIS kishin pushtuar një të tretën e qytetit kufitar me Turqinë dhe se po avanconin, pasi forcat kurde në terren nuk po i bënin dot ballë. Por nëntë sulmet e kryera gjatë të enjtes në mbrëmje nga avionët amerikanë kanë dëmtuar pikat e pozicionimit të luftëtarëve të ISIS dhe makineritë e tyre.Shtetet e Bashkuara po monitorojnë situatën në Kobani, ku duket se forcat kurde po rifitojnë pozicionet e tyre. Por luftimet vazhdojnë në të gjithë Sirinë, mes forcave rebele dhe atyre besnike të presidentit Bashar Al-Asad.Në internet janë hedhur video të ndryshme që tregojnë dëmet e shkaktuara nga bombardimet e forcave qeveritare në qytetin e vjetër të Alepos si dhe në Homs. Pamjet tregojnë se sulmet kanë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe materiale, pa kursyer edhe fëmijët.Ndërkohë, grupi i parë i refugjatëve sirianë ka mbërritur të enjten në Uruguaj, si pjesë e një nisme të nisur nga presidenti i vendit, Hoze Muhika. Ata do të strehohen në një kamp në periferi të Montevideos ku do të qendrojnë për disa muaj.Për presidentin uruguajan kjo nismë theksonte drejtimin që duhet të marrë e gjithë bota në lidhje me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht fëmijëve. Qeveria uruguajane ka rënë dakord që të marrë 120 refugjatë sirianë, ndërkohë që numri total i të larguarave nga vendi ka arritur në 3 milionë. Shumica e tyre janë strehuar në vendet fqinje, si Libani, Turqia dhe Jordania.