Luftëtari i IS: Sulmet nuk janë shumë efektive
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të jenë duke bombarduar prej javësh tashmë pikat strategjike të Shtetit Islamik, por sipas një luftëtari të grupimit, goditjet janë fare të parëndësishme. Në një intervistë ekskluzive për CNN, luftëtari sirian i Shtetit Islamik, Abu Talha, thotë se organizata e tij ishte përgatitur për këtë mundësi."Kemi qenë gati prej kohësh për këto sulme", - tha Abu Talha - "E dimë që bazat tona dihet ku janë, sepse na i kanë gjurmuar me radarë dhe satelitë, kështu që kishim ngritur pika rezervë".Siriani madje ngacmoi koalicionin duke thënë se shkatërrimi i pikave të deritanishme, përfshi edhe rafineritë e naftës, nuk kanë prekur aspak forcën e ISIS."Kemi të ardhura të tjera përveç se nga nafta. Nuk kemi ndërmend të ndalojmë vetëm për shkak të humbjeve të këtyre rafinerive. Ata kujtonin se i dinin të gjitha. Por falë Zotit nuk është kështu. Dhe dashtë Zoti, do t'i mposhtim të pafetë” – tha ai.Abu Talha tha se ai vetë kishte qenë mes luftëtarëve që morën kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh të Irakut, në qershor. Dhe sipas tij, sado që aleatët të përpiqen të godasin nëpërmjet sulmeve ajërore, nuk do të jenë në gjendje që të ndalin Shtetin Islamik që të fortifikojë territorin e fituar deri tani në Siri dhe Irak."Ata na godasin në disa zona, ndërsa ne përparojmë në të tjera. Nëse na zmbrapsin në Irak, ne përparojmë në Siri. Këto sulme nuk mund të na ndalin", - u shpreh Talha.Ndërkohë, një dezertor i Shtetit Islamik, gjithashtu konfirmoi se militantët kishin marrë masa paraprake para sulmeve."Selia qendrore pothuajse u boshatis para sulmeve", - tha dezertuesi, Abu Omar, që nga Turqia - "Disa pajisje u fshehën nëpër lagjet e civilëve, të tjera i fshehën nën tokë".Abu Omar tha se Shteti Islamik mbështetet shumë te luftëtarët e huaj - përfshi mjaft nga Perëndimi - për të realizuar misionet e veta."Francezët kanë më shumë kontroll, janë edhe më ekstremistë se sa ne", - tha Omar - "Vijnë nga Franca, por duket sikur kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik prej vitesh. Ka shumë 14-15 vjeçarë që po na bashkohen, ndoshta zëri im do t'i bëjë të rimendohen".Ndërkohë, në terren, forcat irakiane të këmbësorisë duket se kanë ndaluar përparimin e militantëve ekstremistë në një qytet pranë Bagdadit, sipas raportimeve që vinë nga BBC. Të ndihmuar edhe nga sulmet ajrore të koalicionit ushtarët vendas, arritën të mbanin të paprekur qytetin Amarija al-Falluja, i ndodhur rreth 40 kilometra larg Bagdadit.Nga ana tjetër e konfliktit, refugjatët kurdë kanë vazhduar kalimin e kufirit për në Turqi, ndërsa luftimet mes forcave kurde dhe atyre të ISIS janë shpeshtuar. Pasi kanë dërguar familjarët e tyre në Turqi, dhjetra të rinj kurdë po kthehen për të ndihmuar ushtrinë në fushën e betejës. Këtë kanë dashur të bëjnë edhe kurdët që janë shtetas turq, por autoritetet turke nuk e kanë lejuar një gjë të tillë.