Raporti i OKB: ISIS ka kryer krime lufte, ja 500 dëshmitë
Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se militantët e Shtetit Islamik kanë kryer krime lufte në mënyrë sistematike që prej vetëshpalljes së Kalifatit në disa territore të Irakut dhe Sirisë.Ndër makabritetet e renditura nga OKB janë ekzekutimet masive, shfrytëzimi i femrave dhe vajzave të mitura si skllave seksi dhe përdorimi i fëmijëve si ushtarë. Raporti i OKB-së është i bazuar në 500 dëshmi të mbledhura dhe në të kritikohet edhe vrasja e një numri të konsiderueshëm civilësh nga ana e qeverisë irakiane në përpjekje për të mposhtur ekstremistët sunitë.Vetëm në periudhën gusht-shtator mendohet të kenë humbur jetën rreth 9347 persona dhe janë plagosur 17 386 të tjerë. Zëdhënësi për të drejtat e njeriut në OKB, Rupert Kolvil, tha se viktimat kryesore të asaj që po ndodh janë mijëra irakianë."Ky raport është vërtet i tmerrshëm. Në vetëm nëntë javë të përfshira aty janë kryer krime macabre kryesisht nga organizata e quajtur ISIL apo ISIS. Aty përfshihen përdhunime, rekrutim fëmijësh, ekzekutime massive, rrëmbime, shkatërrime xhamishë, kishash dhe objektesh të tjera kulti", u shpreh Kolvil.Në raport përshkruhen veprime që thyejnë hapur ligjet ndërkombëtare dhe si rrjedhojë përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë. Sipas të dhënave paraprake, Gjykata e Hagës duket se është duke lëvizur që të nisë hetimet për abuzimet e përmendura.