Hong Kong, protestuesit pro-demokracisë bllokojnë rrugët
Mijëra protestues pro-demokracisë kanë bllokuar rrugët e Hong Kongut, duke injoruar thirrjet e autoriteteve për t'u larguar. Turmat e njerëzve kanë qëndruar gjatë gjithë natës në rrugët e qytetit, pas përleshjeve të një dite më parë me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit.Rreth 3000 persona kanë bllokuar rrugën më të madhe në Mongkok, ndërsa një turmë prej rreth 1000 personash u përball me policinë në lindje të Hong Kongut. Të hënën, qeveria e Hong Kongut tha se policia speciale kishte arritur të shpërndante turmat dhe se situata ishte e qetë, por në fakt disa shkolla dhe banka u mbyllën si pasojë e kaosit dhe trafikut të krijuar.Protestat nisën për shkak të zgjedhjeve të vitit 2017, ku protestuesit kërkojnë një proces demokratik dhe reforma politike. Kreu ekzekutiv i Hong Kongut, CY Leung, ka siguruar publikun se zërat për një ndërhyrje të ushtrisë kineze janë të pavërteta. Në një deklaratë të lëshuar të hënën, protestuesit i bënë thirrje Leungut të japë dorëheqjen, duke thënë se "vetëm kjo do të bëjë të mundur nisjen e procesit të reformave politike dhe të shënojë përfudnimin e krizës.” Ndërkohë analistët thanë se udhëheqësit e Partisë Komuniste në Pekin janë të shqetësuar se thirrjet për demokraci mund të përhapen edhe në qytetet e tjera.
Oranews.tv