Papa Françesku përlotet nga vuajtjet e klerikëve: Shqipëria vend martirësh

Tiranë- Kremtimin e lutjes mbrëmësore, Papa Françesku e ka zhvilluar në katedralen "Shen Pali" në Tiranë, me meshtarë e seminaristë.Ati i shejtë u njoh me dëshmi të gjalla, mbi persekutimin e klerit katolik nga sistemi ateist komunist. Dom Ernest Troshani dhe motër Maria Kaleta, rrëfyen kalavarin e vuajtjeve dhe persekutimit.“Me datën 24 dhjetor 1963, sapo mbarova kremtimin e Meshës së Vigjiljes së Krishtlindjeve në fshatin Barbullush të Shkodrës, me vijne katër oficerë të sigurimit e më paraqesin dekretin e arrestimit dhe të pushkatimit. Më vunë hekurat duke m’i lidhur krahët pas shpinës dhe duke më goditur me shkelma, me futën në makinën e tyre. Nga kisha më çuan në dhomat e izolimit, ku më lanë për tre muaj në kushte cnjerëzore jetese. Ashtu të lidhur më çuan në hetuesi.Kryehetuesi më tha: “Ty do të të varim në litar si armik sepse i ke thënë popullit që të vdesim të gjithë për Krishtin po qe nevoja”. M’i shtrënguan hekurat aq fort në duar sa që gati me penguan sistolacionin e zemrës e gati pata vdekur. Donin të më bënin të flisja kundës fesë dhe kundër hierarkisë kishtare. Unë nuk pranova asgjë. Nga torturat rashë gati i vdekur. Kur e panë këtë hetuesit më liruan. Zoti deshi që të vazhdoja të jetoja” rrëfeu Troshani.“Në kampet e ndryshme për 8 vjet me rradhë. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, me duket e pabesueshme, si kemi duru ato vujtje te tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhënë forcën, durimin dhe shpresën” tha motër Kaleta. Këto rrëfime, prekën shpirtërisht Papa Françeskun, i cili nuk e fshehu dhe në kumtesën e tij ndjesinë që i ka krijuar vuajtja e shqiptarëve.Vizita në Shqipëri ka bërë që Ati i Shenjtë të hapë librat e historisë, duke mbetur i befasuar nga historitë dhe vuajtjet e shqiptarëve.Imzot Angelo Masafra, i dhuroi Papa Fraçeskut, portretin e Zojës së Këshillit të Mirë, ndërsa imzot Rrok Mirdita i dhuroi figurën e kryqit të martirëve shqiptarë.