Masat e sigurisë për vizitën e Papës, asnjë incident, funksionuan masat e policisë
Tiranë- Vizita e Papa Françeskut në Tiranë kaloi përgjithësisht e qetë, kjo edhe falë masave të marra nga autoritet shqiptare.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aty ku mbajti meshën Ati i Shenjtë ishte i survejuar nga snajperat dhe dylbitë e Gardës dhe policisë, për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm.
Në të gjitha ndërtesat e larta përreth bulevardit ishin të vendosur efektivët e sigurisë të autoriteteve tona.
Në mesin e besimtarëve që ishin mbledhur në shesh, ishin të pranishëm dhe efektivë civilë, ku përfshiheshin dhe agjentët e Shërbimit Informativ.
Gjatë parakalimit të Atit të Shenjtë në bulevard,ai ruhej nga eskorta e tij,e cila përbëhej nga agjentë të Vatikanit.
Policia ishte e vendosur thuajse çdo 5 metër në të gjithë gjatësinë nga sheshi “Nënë Tereza” deri tek sheshi “Skëndërbej”.
Një kordon i dytë ishte krijuar dhe nga studentët e Akademisë së Rendit. Gjatë ditës së Papa Françeskut në Tiranë u shënuan dhe dy incidente,të cilat nuk rrezikuan aspak sigurinë e tij.Në mëngjes gjatë kontrolleve të policisë dhe Gardës u ndaluan dy shtetas amerikanë, pas sjelljeve të tyre të çuditshme.Gjatë këtij kontrolli në çantën e njërit prej tyre u gjet një biçak i vogël, por për arsye sigurimi u bë shoqërimi i tyre në komisariatin numër 1.Pas marrjes në pyetje dhe verifikimeve, policia e kryeqytetit sqaroi se këta persona do lirohen, pasi nuk përbënin rrezik dhe për më tepër biçaku i gjetur nuk kategorizohet si armë e ftohtë.Po gjatë mëngjesit, në taracën e maternitetit “Nëna Geraldinë” një efektiv i gardës ka gjuajtur në mënyrë të pavullneshme në ajër me snajper, por pa rrezikuar askënd.