Misteri i vrasjeve të regjimit në varrezat katolike të Rrmajit, muri i ekzekutimeve të martirëve

Shkodër - Katolikët e Shkodres ishin ata që vuajtën më së shumti diktaturën ç'njerëzore të regjimit komunist, që nuk kurseu perveç qytetarëve edhe shumë klerikë. Në varrezat Katolike të Rrmajit në Shkodër, të shpallura monument kulture prehen një pjesë e 40 martirëve, ndërsa të tjerëve akoma nuk u janë gjetur eshtrat, pasi regjimi komunist nuk la asnjë shenjë nga ekzekutimet e egra dhe mizore.Në këtë vend qytetarë të ndryshëm vijnë dhe luten thuajse çdo ditë, që shpirti i tyre të pushojë në paqe, ndërsa pak metra më tutje ndodhet kisha ku kryhen shërbesat fetare dhe në krahun tjetër muri rrethues, ku në vitet e regjimit u kryen jo pak pushkatime.Për Shkodrën këto varreza janë një pjesë e dëshmisë së asaj çfarë vuajti ky popull, duke mbajtur mbi supe një peshë të rëndë persekutimi e përndjekje të gjatë mbi 45 vjeçare. Sot historia ka ndryshuar dhe vendi ynë përjeton lirinë fetare, çka është vlerësuar edhe nga Papa Françesku me vizitën e tij në Shqipëri, por për martirët e Kishës historia do të vijojë të flasë, pasi ato dhanë jetën për fe e atdhe.Tashmë kisha katolike do të hapë një kapitull të ri, duke i shpallur 40 martirët e lum dhe duke i vendosur në piedestalin e lartë të një kishe të martirizuar.