Hamas: Për emigrantët palestinezë në Europë fajësoni Izraelin
Organizata palestineze Hamas deklaroi se është faji i Izraelit që qindra emigrantë palestinezë kanë lënë Gazën dhe i janë drejtuar Europës.Zëdhënësi i Hamasit në Gaza, Salah Al-Bardvil, bëri të ditur se shumica e emigrantëve janë larguar nga kufiri me Egjiptin, por synimi i tyre është të mbërrijnë në Europë."Pushtimi sionist është arsyeja kryesore e gjithë krizës në Palestinë. Sionistët sulmojnë palestinezët, shtëpitë dhe bizneset e tyre, duke i detyruar që të lënë tokën, ku më pas vendosen izrealitët. Ata largohen nga Palestina dhe i drejtohen Europës për faj të sulmeve izrealite", tha Al-Bardvil.Të dhënat e deritanishme flasin se në katër-pesë muajt e fundit rreth 1500 deri në 2000 palestinezë, të cilët duke përdorur tunelet nëntokësore në kufirin me Egjiptin, janë larguar nga Enklava për në Afrikën Veriore, me ëndrrën për një jetë të re në Europë.Javën e kaluar lajmi për mbytjen e një anije me 700 persona që ishte nisur nga Afrika alarmoi familjet e shumë palestinezëve, të cilët prisnin të merrnin vesh si kishin arritur të afërmit e tyre."I bëj thirrje Kryqit të Kuq dhe Kombeve të Bashkuara që të kërkojë për fëmijët tanë e të na i sjellë mbrapsht, gjallë apo vdekur. Nëse nuk jetojnë më, le të na e thonë në mënyrë që ta dimë dhe ne", tha Suad Al-Xharf, nëna e një emigranti të humbur.Ashtu si Izraeli edhe Egjipti, kanë vendosur bllokada ndaj Rripit të Gazës, një territor ku jetojnë rreth 1.8 milionë palestinezë që dominohet nga Hamasi, organizatë e konsideruar si terroriste nga Izraeli dhe Perëndimi.Gjatë luftimeve të fundit mes palëve në Gaza, sipas të dhënave zyrtare kanë mbetur të vdekur më shumë se 2100 palestinezë, shumica civilë, si dhe 67 ushtarë dhe 6 civilë izraelitë.Pas vendosjes së armëpushimit pritet që pikërisht në Egjipt të ketë një takim ku do të diskutohet për zgjidhjen e situatës, edhe pse duket një detyrë e vështirë."Nuk kam shumë shpresa për bisedimet e Kajros", tha Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Juval Stajnic."Nëse Hamasi nuk pranon të disktojë çështjen e çarmatimit nuk shoh ndonjë zgjidhje afat-gjatë për situatën në Gaza".