Kaçe nuk luan kundër Gjeorgjisë, pritet shpërthimi i disa të rinjve
Mesfushori shqiptar, Ergys Kaçe, ka konfirmuar për mediat greke se nuk do të jetë pjesë e Kombëtares Shqiptare në datën 6 Shkurt, ku kuq e zinjtë e De Biasit do të luajnë një miqësore kundër skuadrës së Gjeorgjisë në stadiumin "Qemal Stafa". Ashtu siç ishte paralajmëruar, i riu Kaçe, pret që më përpara të marrë pasaportën greke dhe më pas të vendosë mbi të ardhmen e tij. "Jam takuar me De Biasin dhe Alban Bushin. Unë nuk u kam dhënë një përgjigje të prerë mbi të ardhmen time, por është e sigurt se nuk do të jem në miqësoren kundër Gjeorgjisë”, ka thënë mesfushori Kaçe për mediat greke, duke lënë të kuptohet se ai po pret pasaporten greke pastaj do të vendos mbi të ardhmen e tij.Edhe pse De Biasi, shpresonte se lojtari i ri i talentuar do të bëhej pjesë e skuadrës, duket se edhe ky do ta braktisë kombëtaren tonë ashtu siç kanë bërë edhe lojtarë të tjerë përpara tij.Pritja e marrjes së pasaportës greke, të bën të mendosh një gjë të tillë por deri në momentin kur Kaçe të marrë vendimin përfundimtar, gjithëçka mbetet e hapur. Përveç mesfushorit të ri të talentuar, Kaçe, Kombëtares Shqiptare do ti mungojë në miqësoren me Gjeorgjinë edhe Jamir Hyka, i cili është lënë jashtë për tu dhënë hapësira lojtarëve të tjerë të rinj. Vendin e lojtarit të Lucernes pritet ta zërë shkodrani, Armando Vajushi. Ky i fundit luan te skuadra e Liteks Lovetiç, ndërsa grumbullimi i tij do ti shërbejë teknikut të kombëtares të shohë edhe një herë nga afër lojën e këtij lojtari që premton shumë për të ardhmen. Bashkë me Vajushin, skuadrës së Kombëtares pritet ti bashkohet edhe shkodrani tjetër Bala. Ky i fundit luan me Spartën e Pragës ndërsa pritet të jetë pjesë e Kombëtares kuq e zi në miqsoren ndaj Gjeorgjisë, ku trajneri Italian, De Biasi, ka vendosur që në këtë takim të grumbullojë disa lojtarë të rinj për të parë formën e tyre dhe për të përzgjedhur pastaj se kush do të vazhdojë me kombëtaren në ndeshjet e eliminatorëve, Brazil 2014.