Partizani dhe pengesat për tu rikthyer në Superligë

Pas prezantimit të trajnerit të ri, Shpëtim Duro dhe dhe donatorit Gaz Demi, në kampin e demave të kuq, është rritur entuziazmi  për një rikthim të kësaj skuadre në elitën e futbollit shqiptar. Tashmë me financa të garantuara nga dy pronarët e klubit, Sallaku dhe Demi, me projekt të gatshëm për të ndërtuar terrene sportive dhe me një staf drejtues të përbërë nga emra të mëdhenj të futbollit shqiptar si Hasan Lika, Duro, Tomori dhe Mustas dhe është e natyrshme të mendosh se Partizanit nuk i mungon asgjë për tu ringritur edhe një herë në majat më të larta të futbollit shqiptar.Pas shumë vitesh vuajtje, duket se ka ardhur momenti që kjo skuadër të ngrihet edhe një herë në vendin që i takon. Për ta bërë këtë, drejtuesit e Demave të Kuq janë të vetëdijshëm se gjërat duhet të merren sipas radhës. Gjëja e parë që ata po mendojnë të bëjnë është përforcimi i skuadrës për të garantuar ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, ngjitjen në Superligën shqiptare. Për tu ngritur deri këtu, Demat e kuq, duhet të kalojnë provimet në 15 përballjet e vlefshme për fazën e dytë të kategorisë së parë. 8 nga këto përballje Partizani do ti luaj brenda dhe nën mbështetjen e tifozave "Ultra Guerrils" ndërsa  7 ndeshjet e tjera do ti luaj në transfertë. Ndeshja e parë e fazës së dytë për Demat e Kuq, do të jetë kundër skuadrës së Adës në shtëpi. Në këtë  ndeshje përveçse do të kërkohet fitorja do të jetë edhe takimi i parë zyrtarë i teknikut Duro, në krye të pankinës së Partizanit. Në javën e 17, Partizani do të udhëtojë në transfertë për të luajtur me Butrintin. Në javën e 18, demat e kuq do të ndeshen me Ebasanin brenda për të udhëtuar pastaj në javën e 19, në Pukë ku do të luajnë përballë Tërbunit. Në javën e 20, Partizani do të presë në shtëpi skuadrën e Burrelit, ndërsa në javën e 21, do të kemi derbin kryeqytetas mes Dinamos dhe Partizanit. Në javët e tjera demat e e kuq do të kenë përballje kundër Ilirisë dhe Pogradecit, në javën e 22 dhe 23. Dy javët e fundit do të jenë deçisive për demat e kuq pasi do të luajnë dy ndeshje të rëndësishme kundër Beslidhjes brenda dhe kundër Lushnjes në transfertë, që do të jetë edhe java e fundit e kategorise së parë. Të gjitha këto impenjime për skuadrën e Partizanit, do të jenë vendimtare për të ardhmen e kësaj skuadre që premton të rikthehet në  elitën e futbollit shqiptar.