Kupa e Italisë, përsëri luhet Roma - Inter
Pas barazimit në gjysëmfinalen e parë mes Juventusit dhe Romës, një tjetër sfidë interesante do të luhet sot mes Romës dhe Interit. Kjo përballje e konsideruar si një derbi i Kupës së Italisë, rikthehet për tu luajtur vetëm pas tre ditësh pasi po në “Olimpiko”, në fundjavë Roma dhe Interi barazuan 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 21. Kujtimet e këtij barazimi janë të freskëta për të dy trajnerët e skuadrave që në këtë takim kërkojnë me çdo kusht fitoren për të shpresuar kalimin në finalen e këtij kompeticioni.Kryeqytetasit, që në përballjen e fundjavës humbën disa mundësi të pastra, për të fituar takimin do të mundohen të korigjojnë disi gabimet e bëra, për të arritur fitoren ndaj skuadrës Zikaltër. Si tekniku i Verdh e kuqve, Xeman, ashtu edhe trajneri i Interit Stramacioni, e shohin pjesmarrjen në këtë kompeticion si mundësinë e vetme për të ngritur një trofe të mundshëm në këtë edicion futbollistik, pasi shpresat për titull kampion duken të venitura për të dyja skuadrat.Trajneri i Romës duke u bazuar te loja e fundjavës, ku në pjesën më të madhe të takimit kishte lojën nën kontroll, u kërkon djemve të tij të jenë më të kujdesshëm pasi takimi i sotëm mund të vendosë shumë për ndeshjen e kthimit, që do të luhet në datën 17 Prill në San Siro. Ndërsa nga ana tjetër, tekniku i Interit, Stramcioni, i jep një rëndësi të madhe këtij kompeticioni duke e konsideruar atë një trofe që skuadra e tij këtë vit, ka të gjitha shanset për të bërë të tijin. Barazimi në këtë takim do të ishte një rezultat pozitiv për zikaltrit që ndeshjen e ardhshme do të luajnë në shtëpi. Ndaj nuk do të çuditemi nëse Interin sonte në mbrëmje do ta shohim më të tërhequr në gjysëmfushën e tij.