Real kalon në gjysëmfinale, me 9 lojtarë barazon kundër Valencias

Real Madrid ka kaluar në gjysëmfinalen e Kupës së Mbretit, pas barazimit 1-1 me Valencian, por nuk ka festuar shumë këtë arritje, për shkak të asaj që ka ndodhur gjatë takimit. Që në minutën e 17-të të ndeshjes, Iker Kasijas, i cili e nisi ndeshjen si titullar, u detyrua të zëvendësohej, pasi u dëmtua në dorë nga një shkelm pa dashje i Arbeloas. Edhe pse stafi mjekësor ka bërë të qartë se për momentin nuk dyshohen fraktura, fakti që portieri u detyrua të largohej nga fusha ka sjellë panik në radhët e madrilenëve. Qetësia te kjo skuadër u kthye disi pas golit të avantazhit të Benzema në minutën e 44-t, por në fillimin e pjesës së dytë, Koentrao, komplikon gjithçka duke u ndëshkuar me karton të kuq pas dy kartonave të verdhë. Vendasit gjejnë golin e barazimit që në aksionin e radhës me anë të mesfushorit Kosta dhe hidhen në sulm për të shënuar edhe gola të tjerë, edhe pse i duheshin 3 të tillë për tu kaluar në turin tjetër. Në ndeshjen e parë Valencia u mund në “Santiago Bernabeu” me rezultatin 2-0. Të besuarit e Mourinhos, u mbijetuan sulmeve të Valencias, edhe pse në minutat e fundit e shohin veten me 9 lojtarë pasi edhe Di Maria largohet nga fusha e lojës me karton të kuq. Ku i fundit e komplikon më tej situatën në kampin Madrilenë, por mbrojtja e Real funksionon në mënyren e duhur duke neutralizuar çdo sulm të kundështarit. Pas kualifikimit për në fazën tjetër, me rezultat të përgjithshëm 3-1, skuadra e Mourinhos do të mësoje nesër emrin e kundërshtarit të gjysëmfinales që do të dalë nga dyshja Malaga-Barcelona. Por në përballjen e parë gjysëmfinale është e sigurt mungesa e Di Maria dhe Koentrao të pezulluar, ndërsa pritet të mësohet sa serioz është dëmtimi i Kasijas dhe sa do të zgjasë riaftësimi i tij. Ndërsa ndeshja tjetër e luajtur dje për Kupën e Mbretit mes Sevilias dhe Saragozës ka përfundur me rezultatin e thellë 4-0 ku Sevilja ka siguruar kalimin në gjysëmfinale. Kjo e fundit do të njohë kundërshtarin e saj pas përballjes së sotme mes Real Betis dhe Atletiko Madrid.