Kupa e Italisë, sot gjysëmfinalja e parë

Futbolli Italian, rikthehet me të tjera emocione mbrëmjen e sotme ku do të luhet përballja e parë e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Në tapetin e gjelbërt do të zbresin dy skuadra që deri në këto momente kanë treguar se janë më të mirat e Seria A. Në “Juventus Stedium”, Kampionët e Italisë në fuqi  dhe aktualisht kryesuesit e kampionatit Italian do të presin në shtëpi skuadrën e Lacios që mban vendin e dytë në kampionat së bashku me Napolin. Kjo sfidë mes kryesuesve të Seria A, pritet të jetë mjaftë interesante edhe pse skuadrat nuk kanë në dispozicion kontigjentin më të mirë të mundshëm. Pas fitore ndaj Udinezes në kampionat, Bardh e zinjtë e drejtuar nga Antonio Konte, janë rikthyer te suksesi dhe dëshirojnë ta vazhdojnë atë edhe në Kupën e Italisë. Ashtu si tre ditë më parë, pritet shumë që i riu i talentuar, Pol Pogba, të marrë fatet e Juventusit në dorë dhe për ti udhëhequr ata drejt triumfit. Trajnerët e të dyja skuadrave janë të vetëdishëm për vështirësitë e këtij takimi ndërsa kërkojnë nga skuadrat e tyre të bëjnë maksimumin edhe pse ndeshja parashikohet të luhet në temperatura të ulta. Petkoviç, u kërkon djemve të tij që udhëtimi drejt Torinos të mos jetë vetëm një shëtitje por një motiv më shumë për të ndaluar bardh e zinjtë të cilët deri më tani kanë treguar se nuk kanë rivalitet të paktën në futbollin Italian. Përveç kësaj gjysëmfinale që do të luhet sot gjysëmfinalja tjetër do të jetë ajo mes Interit dhe Romës e cila do të vijë mënjëherë pas përballjes në kampionat e cila përfundoi në barazpeshë 1-1. Kryeqytetasit e drejtuar nga Zeman edhe pse dominuan lojën ndaj Zikaltërve nuk arritën të fitonin takimin ndërsa do të kërkojnë që këtë gjë ta arrijnë në përballjen e Kupës. Ky duel që do të jetë i dyti radhazi brenda pak ditëve pritet të dhurojë emocione të shumta dhe spektakël pasi edhe vetë loja e këtyre dy skuadrave është e bazuar në skema të tilla.