Barazon Manchester United, rihapet lufta për titull në Angli

Lufta për titull në Angli është ndezur edhe më shumë, si meritë e Totenhemit që ka arritur përsëri të ndalë skuadrën e Aleks Fergusonit. Nëse në takimin e fazës së parë të zhvilluar në "Old Traford" londinezët fituan 3-2 ndaj "djajve të kuq", këtë radhë ata i kanë ndalur në një barazim dramatik 1-1.Takimi ka qenë në dyshim deri në minutën e fundit për shkak të reshjeve të dëborës, por në fund u vendos të luhej, ndonëse në një terren të rënduar. Por duket se kjo nuk përbënte një problem për Robin Van Persin i cili në minutën e 22-të të takimit shënoi golin e tij të 17-të në kampionat, i 25 në total i këtij sezoni të parë të shkëlqyer që po kalon te Mançester Junajtid. Avantazhi i siguruar nga holandezi i dha qetësinë e duhur Mançester Junajtid që u mundua në të gjitha mënyrat të ruante energjitë, duke bërë që ndeshja të kthehej hera-herës e mërzitshme, ndonëse Totenhemi ishte më ngulmues në gjetjen e rrugës së rrjetës.Pikërisht kjo dëshirë e vendasve për të gjetur rrugën e rrjetës bëri që të besuarit e Andre Vilas Boas të besojnë deri në fund dhe të prishin planet e trajnerit skocez duke shënuar pikërisht në minutën e 93-të me anë të Klint Dempsi, që dërgoi topin në rrjetë duke i dhënë një pikë mëse të merituar skuadrës së tij. Me këtë barazim, Mançester Junajtid mbetet 5 pikë para Mançester Sitit në renditjen e kampionatit.  Këta të fundit e kanë reduktuar disi diferencën pasi të shtunën kishin arritur një fitore të rëndësishme ndaj skuadrës së Fulhamit me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Etihad Stadium. Dy golat e kësaj ndeshjes u shënuan nga spanjolli David Silva i cili me nga një gol për pjesë arrinë ti japë skuadrës tre pikë mjaft të vlefshme për luftë në kampionat. Goli i parë në këtë ndeshje u erdhi shumë shpejt në minutën e 2-të ndërsa në të 69 spanjolli shënon edhe golin e tij të dytë duke vulosur fitoren e skuadrës së Mancinit.