Tepelenë, maskat grabisin autobusin me pasagjerë
Grabitet nga maskat një autobuz me pasagjerë në Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit në askin rrugor Tepelenë-Memaliaj ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur autobusin me targa SR 6941 B të linjës Sarandë-Tiranë.Mësohet se personat e maskuar i kanë bërë me shenjë shoferit të autobuzit të ndalojë duke qëlluar drejt xhamit të autobuzit nga ana e shoferit dhe për pasojë një pasagjer është dëmtuar në fytyrë nga ciflat e xhamit.Duke parë situatën, shoferi Sokol Berxhaj ka ndaluar autobuzin dhe dy grabitësit u kanë marrë shoferit dhe pasagjerëve lekët.Sipas policisë së Gjirokastrës, personat me maska e kallashnikov u kanë marrë pasagjerëve rreth 30 mijë lekë të reja dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të lumit Vjosë.Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.Sipas informacioneve më të fundit, efektivët, nën drejtimin e kreut të policisë po zhvillojnë kontrolle të imtësishme në vendin e ngjarjes ndërsa mësohet se janë shoqëruar edhe disa persona të dyshuar.