Rama: Do t`i kthejmë dinjitetin figurës së policisë së shtetit
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka përshëndetur policinë e shtetit me rastin e 100-vjetorit të krijimit të saj.Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryesocialisti Rama theksoi se kur PS-ja të vijë në pushtet do t`i kthejë dinjitetin policisë së shtetit."Ne jemi të vendosur që mësuesit, policit dhe mjekut ti kthejmë dinjitetin e cënuar në këto vite keqqeverisje dhe keqtrajtimi të këtyre 3 figurave. Kur flas për keqqeverisje kam parasysh politizimin e tejskajshëm dhe rrënues të forcave të policisë dhe padyshim edhe mungesën e plotë të meritokracisë në gjithë procesin e promovimit të kontributeve dhe vlerave brenda policisë së shtetit” theksoi Rama.Kryesocialisti Rama gjithashtu bëri publike edhe disa të dhëna të një sondazhi të fundit bërë nga Partia Socialiste ku sipas tyre 72% e shqiptarëve thonë se gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend eshtë shumë e keqe.“Një vlerësim shumë të sinqertë dhe të posaçëm për të gjithë ata që nën uniformën blu, sakrifikojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira përmes pengesash, shpeshherë të pakapërcyeshme, që lidhen me korruptimin dramatik të drejtimit politik të Policisë së Shtetit, dhe që megjithatë i shërbejnë devotshmërisht shoqërisë" tha Rama.Rama theksoi gjithashtu se sipas të dhënave të dala nga sondazhi, 51.4 për qind qytetarë të këtij vendi e konsiderojnë situatën aktuale të papunësisë shumë të keqe, dhe 22% të keqe."Në total, 73.6% e shqiptarëve e vlerësojnë si plagën më të madhe të vendit, dhe situatën si shumë të keqe dhe të keqe. Korrupsioni, ka të njëjtin vlerësim. Sa i përket situatës së sigurisë dhe kriminalitetit në vend, në bazë të të dhënave të sondazhit, 72% e shqiptarëve thonë se gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend eshtë shumë e keqe dhe e keqe" shtoi Rama.