Bashkia : Leja e dhënë për godinën e Linda Bashës, në shkelje me ligjin për urbanistikën

Bashkia e Tiranës ka reaguar sot në lidhje me godinën në rrugën “Qamil Guranjaku” që sipas mazhorancës është në pronësi të bashkëshortes së kryesocialistit Edi Rama.Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e bashkisë së Tiranës Anila Bisha theksoi se ndërtimi I kësaj godine është në kundërshtim të ligjit për urbanistikën.Leja e ndërtimit për këtë pallat është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Në bazë të ligjit nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për Urbanistikën”, neni 62, Këshilli i Rregullimit të Territorit nuk ka patur të drejtë të miratojë asnjë ndërtim të përhershëm ose provizor , jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara.  Në rastin konkret në studim, hapësira mbi të cilën është dhënë leja ka qenë e përcaktuar  shprehimisht ne ligj, si  hapësirë ndërmjet blloqeve të ndërtuara të banesave dhe si e tillë kjo hapësirë ishte e përjashtuar nga çdo lloj ndërtimi. Më datë 27.12.2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ndryshoi  projektin teknik të kësaj godine të miratuar në 2006, duke e zgjeruar edhe më tej hapësirën e ndërtimit horizontalisht dhe vertikalisht, por pa e shoqëruar me planimetrinë përkatëse, siç e kërkon ligji. Për këto arsye, si leja e ndërtimit më 21.03.2006, ashtu edhe ajo e rishikuar më 27.12.2008, janë dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” theksoi Bisha.Gjithashtu Bisha theksoi më tej se Bashkia e Tiranës ia ka referuar të gjithë materialet që disponon Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.