Shkodër, kryeplaku vret bashkëfshatarin

Sherri mes fqinjëve për pulat e vjedhura, në Bërdicë të Shkodrës ka shkaktuar një të vrarë dhe një person të arrestuar. Të përfshirë në këtë ngjarje janë, Kryeplaku i Bërdicës, Hil Cak Hila, i cili në grindje e sipër në një lokal në këtë zonë, ka qëlluar për vdekje, fqinjin e tij, Lazër Paloka.Por sipas Policisë së Shkodrës, nga hetimet paraprake ka rezultuar se zanafilla e kësaj ngjarjeje ka qënë disa ditë më parë, ku shkak për vrasjen ka qënë pikërisht vjedhja e disa pulave, nga djali i kryeplakut. Për këtë arsye viktima ka rrahur djalin dhe sherri ka vijuar edhe më tej, në një lokal në Bërdicë, ku ndodheshin të dy fqinjët.Në fillim sherri ka nisur në brëndësi të lokalit, me fjalë dhe më pas ata kanë dalë jashtë ku kryeplaku ka nxjerrë armën, dhe ka qëlluar për vdekje fqinjin, Lazër Paloka, dhe më pas është vetëdorëzuar në polici.Në dëshminë e tij, përpara oficerëve të policisë gjyqësore, Kryeplaku ka sqaruar se Paloka, e kishte ofenduar rëndë dhe për këtë arsye ai e kishte qëlluar. Por tashmë uniformave blu do tu duhet një hetim i imtësishëm dhe dëshmi për të zbardhur të gjithë këtë ngjarje, e cila ka nisur në fillim si qesharake, për vjedhjen e disa pulave, por që ka përfunduar në tragjedi me një të vdekur dhe një të arrestuar.