Zgjedhjet, Holtkemper: Vendimet teknike të mos politizohen

Vendimet e natyrës kryesisht teknike në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve duhet të merren pa ngarkesë emocionale dhe politizim, ne menyre që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, të lirë nga presionet politike dhe që afatet e parashikuara në kodin zgjedhor të respektohen. Kështu ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për DW-në, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, duke i vlersuar zgjedhjet e 23 qershorit të një rëndësie të veçantë, si njw tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj në kontekstin e integrimit ë BE."Zgjedhjet e fund-qershorit janë të një rëndësie të veçantë: realizimin korrekt të tyre ne e konsiderojmë si një tregues të pjekurisë së Shqipërisë dhe institucioneve të saj në kontekstin e BE-së. Vitin e shkuar partitë kanë rënë dakord për zbatimin e rregullave të reja. Pikërisht këto rregulla të vetëvendosura duhet të gjejnë një zbatim të tillë, që zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standardet evropiane, dhe që rezultati i tyre të pasqyrojë korrektësisht vullnetin e zgjedhësve. Kjo do të thotë ndër të tjera që vendimet e natyrës kryesisht teknike në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve duhet të merren pa ngarkesë emocionale dhe politizim, që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përmbushin detyrat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga presionet politike, dhe që afatet e parashikuara në kodin zgjedhor të respektohen."deklaroi ajo.E ndërsa vëmendja maksimale qoftë e opozitës apo mazhorancës është përqëndruar në zgjedhjet parlamentare, Holkemper tërheq vëmendjen se politika shqiptare të mbajë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të vazhdojnë të angazhohen edhe më tej në realizimin e reformave të nevojshme."Ne qëndrojmë përkrah Shqipërisë dhe e mbështesim atë në mënyra të shumëllojshme në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Por në rrugëtimin drejt BE-së nuk ka shkurtime. Eshtë në dorën e vetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin të dëshmojnë vullnetin politik dhe vendosmërinë për të përmbushur kushtet e rrepta dhe të ndershme të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst secili vend do të vlerësohet në varësi të progresit individual lidhur me reformat: këtu, krahas miratimit të ligjeve, do të mbikqyret edhe stadi aktual dhe i besueshëm i zbatimit të reformave, përfshirë ndërtimin e shtetit ligjor dhe të sistemit të pavarur të drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2012 Shqipëria ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme si dhe ka përmbushur disa prej 12 kritereve kyç. Kjo vlerësohet pozitivisht prej nesh. Mungojnë ende tre projektligje të rëndësishme si dhe ekziston ende nevoja e zbatimit të mëtejshëm të reformave. Eshtë mjaft e rëndësishme të forcohen përpjekjet në këtë drejtim. Por është gjithashtu e qartë, që Shqipëria këto reforma nuk i zbaton për BE-në, por për vete. Rezultatet e tyre shkojnë në të mirë të popullsisë shqiptare në formën e një sigurie ligjore më të madhe dhe të një zhvillimi më të mirë ekonomik dhe social. Ndaj uroj që për vitin 2013, qeveria dhe opozita, pavarësisht zgjedhjeve parlamentare të fund-qershorit, të mbajnë në vëmendje interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të vazhdojnë të angazhohen edhe më tej në realizimin e reformave të nevojshme"theksoi Ambasadorja.Ambasadorja Holtkemper ka folur edhe rreth ngrirjes së projektit të interkonjuksionit Shqipëri – Kosovë, ku KfW-ja gjermane nuk gjeti dakordësi me palën shqiptare për procesin e tenderimit të fondeve, ku u shpreh optimiste se shumë shpejt ky projekt mund të realizohet."Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të mira e miqësore. Kjo natyrisht nuk përjashton faktin, që në çështje të caktuara kemi opinione të ndryshme. Por ne kemi besim se kushtet për një financim nga Banka për Zhvillim KfW do të plotësohen dhe se ky projekt i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën së shpejti do të mund të realizohet" përfundoi Holkemper.