Fizibiliteti për tramvajin, Franca i jep 720 mijë euro bashkisë së Tiranës
Franca i jep Shqipërisë 720 mijë euro për hartimin e projektit të linjës së parë të tramit në Shqipëri, Kombinat Kinostudio. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se ky fond është shumë i rëndësishëm për nisjen e këtij projekti. Ndërsa Ambasadorja e Francës nga ana tjetër vlerësoi projektin për ndërtimin e tramvajit në kryeqytet.“Tramvaji është një zgjidhje e cila është aplikuar me sukses nga shumë qytete të mëdha në mbarë botën e po kështu në këtë drejtim është angazhuar edhe qyteti i Tiranës. Fondi i qeverisë franceze, në shumën 720 000 euro i jep mundësi Bashkisë të iniciojë këtë projekt strategjik për zhvillimin urban të Tiranës. Studimi do të realizohet përmes "Egis International", një ndërmarrje e inxhinierisë franceze, për infrastrukturën e transportit, me shtrirje ndërkombëtare dhe mjaft e njohur në Shqipëri. Duke iu përgjigjur kërkesës së Bashkisë, ne sjellim kësaj radhe përmes "Egis", një kontribut i cili është në të njëjtën kohë financiar, por edhe teknik dhe që do të mundësojë të hidhet një hap vendimtar dhe i shpejtë, sa i përket realizimit të linjës së parë, duke e parë këtë projekt në dritën e një vizioni global dhe që merr parasysh nevojat e së ardhmes, për t'i shërbyer edhe lagjeve të tjera të qytetit” tha ajo.Nisja e studimit për linjën e tramit të Tiranës pason përfundimin e draft-studimit për terminalin multimodal të pasagjerëve dhe përfundimin e projektit teknik të bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. 3 projektet strategjike të lançuara përgjatë fushatës elektorale, janë futur tashmë në rrugën e zbatimit të tyre.