PDIU:Autoritetet greke vijojnë sjelljen anakronike karshi shqiptarëve

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me kthimin në kufi nga ana e autoriteteve greke të Elida Jorgonit. koordinatore e grupimit të Pasardhësve të Rilindasve.Në një konferencë për shtyp, Ardit Bido theksoi se autoritetet greke vijojnë sjelljen anakronike karshi shtetasve shqiptarë.“Autoritetet shtetërore greke vijojnë sjelljen anakronike karshi shtetasve shqiptarë, faji i vetëm i të cilëve është se dëshirojnë të promovojnë atdheun e tyre. Përpara dy ditëve në kufirin shqiptaro-grek të Kakavijës, autoritetet doganore kthyen në kufi shtetasen Elida Jorgoni, koordinatore e grupimit të Pasardhësve të Rilindasve, duke e shpallur atë persona non grata. Znj. Jorgoni, e cila ka origjinën e familjes së saj nga Janina, do të vizitonte varret e paraardhësve të saj që gjenden ende në këtë qytet dhe disa të afërm të saj që janë emigrantë në Greqi. Prej disa kohësh ajo është koordinatore e një grupimi të pasardhësve të drejtpërdrejtë familjarë të rilindasve, aktiviteti i vetëm i të cilëve ka qenë vetëm promovim i patriotëve shqiptarë dhe jo sulmi ndaj kombeve të tjera” theksoi Bido.Ndërsa e ka cilësuar si një akt të rëndë dhe një sjellje joeuropiane kthimin e Jorgonit në kufi, PDIU i ka kërkuar ministrisë së jashtme shqiptare të ndërhyjë për të ndaluar kthimin e shtetasve shqiptar në kufi nga autoritetet greke.“Në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubit të Patriotëve të Rinj denoncoj këtë akt të rëndë dhe të pashkak të autoriteteve greke, të cilat po tregojnë edhe një herë një sjellje joevropiane. Shteti grek duket se ka vendosur që të ndalojë lëvizjen e lirë të të gjithë atyre shqiptarëve që duan atdheun e tyre, duke i përfshirë të gjithë në kategorinë e personave antigrekë. Me këtë rast, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe PDIU apelon ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme që të ndërhyjë për të ndaluar këtë maskaradë të rëndë që kryhet në dëm të bashkëkombasve tanë, pa asnjë shkak” shtoi Bido.