Ministri Panariti niset për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti u nis sot për në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Sesionin e Tretë të Asamblesë së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme, IRENA, që do të zhvillohet më 13 dhe 14 janar 2013.Sesioni i Tretë i Asamblesë së IRENA-s do të diskutojë çështjet më të rëndësishme, me të cilat po përballet komuniteti ndërkombëtar, në fushën e energjisë së rinovueshme si dhe do të fillojë diskutimet, për vendosjen e standardeve, për një energji të qëndrueshme, për të gjitha vendet anëtare, deri në vitin 2030.Ky sesion do të ketë edhe një segment të nivelit të lartë (nivel ministror), në seancë plenare ku vendet e ndryshme do të diskutojnë mbi arritjet dhe sfidat kombëtare dhe ato globale. Me këtë rast, Ministri Panariti do të ketë mundësinë për të prezantuar nismat e qeverisë shqiptarë në drejtim të promovimit të zbatimit dhe zhvillimit të energjisë së rinovueshme në vendin tonë, nëpërmjet komentimit të projekt-ligjit "Mbi energjinë e rinovueshme".Gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Irena, Panariti do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me Ministrat e vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në Konferencë, për të nxitur investimet e huaja në vendin tonë në fushën e energjisë së rinovueshme.Vendi ynë është një nga vendet e para që ka ratifikuar statutin e IRENA-s dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet e Asamblesë së vendeve anëtare të saj, qysh në themelimin e saj.Bashkëpunimi me IRENA përbën një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, pasi pothuajse e gjithë energjia në vendin tonë prodhohet nëpërmjet burimeve të rinovueshme.