Bode: Viti 2012 më i vështiri, patëm një rritje modeste

Largimi i CEZ Shpërndarje nga Shqipëria nuk është një lajm i mire, por duhet të mbrohen interesat e qytetarëve. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se kjo kompani nuk përmbushi kriteret e kërkuara në performancë apo në të ardhura në Shqipëri dhe pikërisht për këtë nuk mund të rrezikohen qytetarët.“Nga pikëpamja e përgjithshme sa influencon ikja e CEZ, nuk është lajm i mirë. Nuk është lajm i mirë ikja e një investitori për më tepër që ai është investitor i madh. Ishte një investitor që mund të punonte dhe të na ndihmonte sic ishte energjia elektrike. Por ata treguan se nuk plotësuan dot kriteret si në performancë, të ardhura etj. Për hir të një kompanie që ka emër të madh ne nuk mund të rrezikojmë interesar e shqiptareve”, tha Bode.Ndërsa në lidhje me prvatizimin e Albpetrol kreu i Financave pranoi se ende nuk është arkëtuar asgjë. Sipas Bodes, borxhi publik gjatë 2012 arriti shifrën e 61.9 %, ndërkohë që deficiti pësoi ulje.“Ekonomia shqiptare e kapërceu krizën dhe inflacioni është në nivele të ulëta historike. Inflacioni është 2 përqind krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të një viti më pare dhe ky inflacion mbetet i stabilizuar. Norma e papunësisë e cila ka një luhatje ulje-ngitje është 13.4 përqind, pra është i njëjti nivel edhe në periudhat paraardhëse. Deficiti buxhetor është 3.2 përqind i prodhimit të brendshëm bruto” tha Bode.Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka cilësuar 2012-ën si vitin më të vështirë kur ekonomia shqiptare pësoi një rritje modeste si pasojë edhe të ndikimit nga kriza globale. Numri 1 i financave e përcaktoi rritjen ekonomike gjatë vitit që lamë midis 1.5 dhe 2 përqindëshit.