Kufinjtë detarë, PDIU: Deklarimi i njëanshëm i Greqisë destabilizon Ballkanin

Çështja e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk zgjidhet nëpërmjet deklaratës së njëanshme të palës greke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.Ky ka qenë reagimi i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet lidhur me deklaratat e Greqisë për shpallje të njëanshme të kufijve detarë, ku në një deklaratë për mediat PDIU shprehet se një zgjidhje e tillë do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të detyronte Shqipërinë të kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë.“Greqia agravon situatën me të gjitha vendet e saj fqinje me një akt të tillë duke prodhuar destabilizim në Ballkan. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me vëmendje sjelljet e papranueshme të palës greke. PDIU i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm diplomatik për të paralajmëruar Greqinë se një veprim i saj i njëanshëm do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të detyronte Shqipërinë të kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë” thuhet në deklaratën e PDIU-së.Më tej PDIU shprehet se Greqia, po tregon se është në panik, duke krijuar armiq në të gjithë Ballkanin. Me një akt të tillë, sipas kësaj partie, shteti grek shkon edhe më tej drejt vetëizolimit, duke u kthyer në vatër të destabilitetit në Ballkan.Ndërkaq PDIU i bën thirrje Greqisë që të ulet dhe të dialogojë pa kushte paraprake për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame, zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufijve detarë dhe të çdo çështje tjetër të hapur mes dy vendeve, si rruga e vetme për një fqinjësi të mirë.