Basha:Do rishikojmë taksën për antenat e kompanive celulare
Vetëm dy javë pas miratimit të taksës për antenat e kompanive celulare, Bashkia tërhiqet përballë vendimit të djeshëm të Kryeministrit për heqjen e kësaj takse si nga pushteti qwndror ashtu edhe nga ai vendor. Kryebashkiaku Basha ka bërë hap prapa duke deklaruar se ky vendim do të rishqyrtohet konform ligjit.“Do të shqyrtojmë kërkesën e shefit të qeverisë dhe çfarë do të pasojë pas kësaj. Nëse do të ketë një akt legjislativ nga qeveria dhe Parlamenti, normalisht që Bashkia nuk ekziston jashtë rendit ligjor të Republikës së Shqipërisë. Do të shikojmë edhe një herë aktin tonë, përputhshmërinë e aktit tonë me legjislacionin aktual si dhe me standardin evropian, natyrisht në diskutim dhe frymë bashkëpunimi me qeverinë qendrore” tha Basha.Deklarata e Kryebashkiakut erdhi gjatë një inspektimi të punimeve ne rrugën e Kokonozëve për ndërtimin e rrugës dhe kanalit, i cili është kthyer në një problem shqetësues për shëndetin e banorëve të zonës.“Përveç përmirësimit të cilësisë së jetës për mbi 3000 banorë të kësaj zone, këto investime do i japin parametra të tjerë zhvillimi kësaj pjese të qytetit, pasi është një rrugë e rëndësishme lidhëse për qytetin tonë. Dua edhe një herë të përgëzoj të gjithë stafin teknik që punoi për hartimin e projektit në një kohë rekord, të përgëzoj firmën që ka fituar kontratën, për mobilizimin e shpejtë dhe t’i kërkoj të punojë pa ndalim dhe pa vonesa, për t’u dorëzuar banorëve të kësaj zone një vepër moderne, që do të përmirësojë cilësinë e jetës për ta, për fëmijët e tyre dhe do ta afrojë më shumë këtë zonë të qytetit, me konceptin tonë të Tiranës moderne e evropiane” u shpreh Kryebashkiaku.Vlera e këtyre punimeve shkon në 66,7 milionë lekë dhe afati i mbarimit të punimeve 8 muaj.