PS: Berisha tallet me shqiptarët për rritjen ekonomike, s`ka dhënë pagat
Partia Socialiste ka akuzuar sërish sot qeverinë se nuk u ka dhënë pagat punonjësve të administratës publike.Në një deklaratë për shtyp, deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni theksoi se kryeministri Berisha tallet me shqiptarët duke u deklaruar atyre se vendi ka rritje ekonomike ndërsa vazhdon duke mos u dhënë pagat administratës."Sali Berisha u hoq dje si i indinjuar pas denoncimit të Partisë Socialiste se qeveria që ai drejton nuk ka para për të paguar as rrogat e administratës, as pagesat e aftësisë së kufizuar e madje as kompensimin e energjisë elektrike për shtresën e personave me aftësi të kufizuar. Por ende sot, në datë 10 janar, kur ka kaluar një e treta e muajit, rreth 90 000 mjekë, infermiere, mësues e punonjës të administratës publike nuk kanë marrë rrogën për muajin dhjetor. Para dhe tetraplegjikët nga ana tjetër kanë muaj të tërë që janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria e Sali Berishës i cili vazhdon të tallet me shqiptarët duke deklaruar se jemi të katërtët në botë për mirëqenie dhe se hahemi kokë më kokë me Gjermaninë për rritje ekonomike" theksoi Gjermeni.Deputetja socialiste Gjermeni theksoi më tej se kur PS-së të vijë në pushtet me anë të programit për një Rilindje Shqiptare administrata do të taksohet më pak."Lajmi i mirë është se Sali Berishës i kanë mbetur edhe pak muaj në krye të qeverisë. Në 23 qershor shqiptarët me votën e tyre do i japin jetë një rilindjeje shqiptare e cila do të ketë në fokus të saj qytetarët; ku vendosja e taksimit të ndershëm do të ulë barrën fiskale për nëpunësit publikë që sot si pasojë e taksës së sheshtë paguajnë më shumë taksa sesa vetë kryeministri. Një rilindje shqiptare ku qytetarëve do t'u garantohet paga minimale dhe minimumi jetik, ku shërbimet do të ofrohen sipas nevojës e jo sipas mundësisë për të paguar e ku integrimi shoqëror i shtresave në nevojë e atyre me aftësi të kufizuara do të jetë një nga prioritetet absolute të qeverisë se drejtuar prej Partisë Socialiste" shtoi Gjermeni.