Vokrri: “Ideja e ligës së përbashkët në duart e politikës”
Rikthimi i idesë për krijimin e Ligës së Përbashkët në mes Shqipërisë dhe Kosovës, nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është mirëpritur nga kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, por sipas tij, kjo ide është vështirë të realizohet.Duket se politika është ajo që mund të jetësojë krijimin e një ligë të përbashkët në mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas Vokrrit, nëse politika kryen detyrat e saj, atëherë ai bashkë me homologun e tij nga Shqipëria, Armando Dukën, brenda 24 sekondave mund ta jetësojnë këtë ide.Megjithatë, Vokrri është skeptik se mund të realizohet ideja për krijimin e një ligë të përbashkët, sepse sipas tij, neni 79 i FIFA-s nuk lejon krijimin e kësaj lige. “Kjo është një ide e kamotshme. Ne e mirëpresim rikthimin e kësaj ide nga ana e Kryeministrit Berisha, por jam skeptik se mund të bëhet realitet, sepse FIFA nuk lejon krijimin e një ligë të tillë”, ka thënë të shtunën për KosovaPress, Vokrri. “Megjithatë, nëse politika kryen punën e vet, atëherë ne jemi të gatshëm që për 24 sekonda të realizojmë krijimin e një ligë të përbashkët, megjithatë unë jam skeptik në këtë drejtim”, tha Vokrri.Skeptik për krijimin e ligës së përbashkët është shprehur edhe i pari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka. Duka, ka theksuar se kjo ide është diskutuar dhe mbështetet nga drejtuesit e FSHF-së. Sipas tij, “dëshira e madhe për t’u bashkuar në futboll has një pengesë ligjore pasi statuset e organizmave ndërkombëtare e ndalojnë një gjë të tillë”. Ai thotë se Federata e Futbollit të Kosovës nuk është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s, aty ku aderon Federata Shqiptare e Futbollit, e cila në bazë të statutit të UEFA-s ka të drejtë të jetë organizatorja e një kampionati futbollistik vetëm brenda territoreve të Republikës së Shqipërisë.Duka pohon se “për realizimin e këtij projekti nuk mjafton vetëm dëshira e dy shteteve shqiptare, por duhen respektuar edhe disa rregulla të statuteve të UEFA-s dhe FIFA-s”.