Miqësorja, Kombëtarja sfidon San Marinon, De Biazi sërish ndryshime në formacion

Kombëtarja Shqiptare do të përballet sot me San Marinon në orën 20:30 në miqësoren e fundit për këtë muaj. Dy ndeshjet e para, ajo kundër Rumanisë dhe Hungarisë kanë qenë negative për ekipin e De Biazit pasi jemi mundur në secilën nga 1-0. Sot tekniku italian do të provojë një tjetër formacion.Skema që do të përdorë De Biazi është ajo klasike 4-4-2. Në ndryshim nga ndeshja e fundit, italiani ka menduar të forcojë qendrën e mesfushës. Të tria repartet do të pësojnë ndryshime jo të vogla. Në mbrojtje rikthehet Lila në krahun e djathtë, ndërsa në qendër Mavraj pritet të formojë për herë të parë një dyshe me, Amir Rrahmanin. Ndërkohë, në krahun e majtë të mbrojtjes, këtë herë do të luajë shkodrani Elseid Hysaj, i cili bindi De Biazi në testin me Hungarinë.Në qendër të mesfushës pritet të luajnë Kaçe dhe Abrashi. Vajushi do të jetë që nga minuta e parë në krahun e djathtë, ndërsa në krahun e majtë të mesfushës rikonfirmohet Valdet Rama. Në sulm pritet dyshja Kapllani-Cikalleshi. San Marino është një kundërshtar shumë herë më i dobët se Shqipëria dhe sot pritet fitore për ta mbyllur 3-shen e miqësoreve me rezultat pozitiv.