Shkodër, gjenden trupat e dy kushërinjve në lumin Drin

Polumbarët kanë arritur të nxjerrin trupat e pajetë të dy kushërinjve Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj, makina e të cilëve ra pasditen e djeshme në ujrat e lumit Drin.Polumbarët e ardhur nga kryeqyteti arritën të lokalizojnë makinën dhe më pas të nxjerrin trupat e dy të rinjve nga lumi Drin.Aksidenti i rëndë u shënua mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Shkodër-Tiranë, në vendin e quajtur "Kthesa e Beltojës" ku automjeti tip Golf 4 me ngjyre blu, AA 587 BD me të cilin udhëtonin dy kushërinjtë Alfons Shtjefen Kolndrekaj 20 vjeç dhe Paskualino Kol Kolndrekaj, 22 vjeç ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Drin.Familjarët kanë humbur kontaktet me dy të rinjtë rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm dhe duke mos pasur asnjë kontakt me ta i janë drejtuar policisë.Gjatë orëve të mesdites së ditës së djeshme, një i afër i familjareve ka parë shenjat e gomave, pranë kthesës së Beltojes dhe një pjesë të makinës (parakolpin) si dhe degët e pemëve të thyera dhe ka hedhur dyshime që të rinjtë kanë rënë në lumin Drin.Menjëherë efektivët e policisë kanë nisur kerkimet dhe vetëm mesditën e sotme kanë arritur të gjejnë trupat e dy të rinjve në makinën e mbytur në lumin Drin.