PS: Të tregohet burimi i të ardhurave ose Berisha të dorëhiqet
Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje fëmijëve të kryeministrit Berisha të tregojnë burimin e të ardhurave të pasurisë.Deputeti Taulant Balla në një konferencë për shtyp ka theksuar se fëmijët e kryeministrit duhet të japin shpjegime për mënyrën se si kanë realizuar fitimet e tyre, ose në të kundërt, kryeministri duhet të japë dorëheqjen.“E vërteta shokuese që del nga deklarata e Argita Berishës është se e bija e kryeministrit të vendit fiton shumë herë më shume se çdo mësues tjetër pavarësisht gradave. Në Shqipërinë e varfër vetëm si pas llogaritjeve normale të Universiteteve private del se Argita Berisha duhet të japë 22 orë në ditë që të justifikojë totalin e 146 milionë lekëve në vit. Kjo nuk është as akuzë as shpifje por vetëm një llogari e thjeshtë” theksoi Balla.Ai ka theksuar më tej se fëmijët e kryeministrit po kërcënojnë opozitën për një kërkesë që është legjitime dhe që do ta bënte çdo opozitë e çdo vendi demokratik.Për pasojë fëmijët e Berishës kërcënojnë opozitën me gjyqe dhe nuk thonë burimin e pasurisë. Ne kemi ngritur disa pyetje që janë krejtësisht normale në demokraci. Kush janë Universitetet që paguajnë këto paga marramendëse për vajzën e kryeministrit , sa është tarifa për orë mësimi që paguhet vajza e kryeministrit të vendit”, shtoi më tej Balla.