Berisha: Socialistët udhëhiqen nga bllokmenët, do shembim murin e bllokimit

Kryeministri Berisha ka vlerësuar vitin 2012 si një histori suksesi për qeverinë e tijDuke folur në mbledhjen e qeverisë, e fundit për këtë vit, kryeministri Berisha ka theksuar se në sajë të reformave ekonomike vendi nuk njohu recesionin ndërsa vlerësoi arritjet në  infrastrukturë dhe në arsim."Qeveria e cila në kushtet e një krize të paprecedentë në Europë dhe botë ia doli në sajë të reformave të saj ekonomike vendi të mos njohë recesionin. Kjo qeveri e përfundoi një vepër tjetër madhore pas rrugës së kombit, tunelin e Krrabës, ëndërr shekullore të shqiptarëve dhe qindra kilometra autostradë dhe kombëtare. Qeveria, me ambicie të mëdha ndryshoi sistemin arsimor të vendit. Këtë vit u inagurua një zinxhir i tërë shkollash ndër më modernet.Kjo qeveri e cila është ndër më paktat, rriti rrogat dhe pensionet" tha Berisha.Ai gjithashtu ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama për bllokimin e statusit ndërsa  ka theksuar se aktualisht socialistët drejtohen nga neobllokmenë e jo nga socialistë të vërtetë, të cilët kanë kontributin e vet në konsolidimin e pluralizmit politik në vend.“Kjo qeveri, me reformat e saj meritoi statusin e vendit kandidat përvec se tre ligjet që qeveria i ka depozituar në Kuvend, por që Rama që parandjen disfatë të thellë dhe i pashpresë në zgjedhjet e qershorit, mendon se duke lënë vendin pa status do të ndihet më mirë. Si ai që të keqen e vet do ta shndërrojë në të keqe për të gjithë të tjerët por kjo nuk do të ndodhë, 23 qershori do të shembë murin e bllokimit të Ramës dhe shqiptarët do të ecin të sigurtë drejt integrimit, që mbajtur peng për tre vite”- tha Berisha.Kryeministri Berisha ka kërkuar nga kryesocialisti Rama të kërkojë falje në emër të partisë së tij për prishjen e institucioneve të kultit dhe vjedhjeve të ikonave gjatë periudhës së komunizmit.  Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha i ka kujtuar kreut të PS-së se është akuzuar nga ish lideri socialist, Fatos Nano, se e mori nga Parisi teksa shiste ikona të vjedhura."Unë i bëj thirrje Zotit Rama të kërkojë të falur në emër të partisë së tij dhe të kthej ikonat e marra nga kultet sepse janë trashëgimi kulturore. Fatos Nano e akuzoi në katarsis se e mora nga Parisi tek shiste ikona të vjedhura. Ia ka thënë këtë për propagandë apo mbi bazë faktesh, i mbetet atij ta sqarojë, por ikonat dhe pikturat i morën më shumë amatorët e pikturës në nomeklaturë. Se ku e bazon Nano këtë deklaratë atë duhet ta sqarojë, por bëj thirrje të kthehen ikonat e marra nga institucionet e kultit, janë trashëgimi e përjetshme e kombit shqiptar" tha ai.Ndërkaq duke iu referuar vendimit  të Komitetit për 100 vjetorin e pavarësisë për kthimin në Shqipëri të kokës së Ali Pashë Tepelenës, Kryeministri  tha se  trupi i tij do të mbetet në Janinë.