Pique zbulon sekretin: Fabregas largohet për 33 mln euro

Cesc Fabregas është gjithmonë e më larg Barcleonës. Në konferencën e radhës për shtyp të Gerard Pique dhe trajnerit të kombëtares spanjolle ka qenë qendërmbrojtësi I katalanasve që gjatë bisedës me trajnerin ka zbuluar lamtumirën e Fabregas. Gjithçka ka ndodhur kur Pique dhe Del Bosque kanë dalë përpara gazetarëve dhe pa pasur dijenin se mikrofonat në atë moment ishin të hapura. Ky bashkëbisedim po bën xhiron e gjithë mediave Botërore.

Mes batutave e humorit, mbrojtësi i Barçës i ka rrëfyer teknikut të Spanjës se ka folur me Fabregas dhe ai i ka konfirmuar largimin për 33 milionë Euro, por ende nuk është zbuluar se cila do të jetë skuadra e tij e ardhshme.

Del Bosque, duke iu referuar presidentit të blaugranave, përgjigjet me humor, duke thënë se ai do të mërzitet shumë, ndërkohë që pyet se nga e mori vesh. Pique thekson se ka biseduar vetë me Fabregas, por këtu i gjithë bashkëbisedimi në dukje sekret merr fund sepse duhet të nisë konferenca për shtyp.

Skuadrat më të interesuara janë ato angleze ku Chelsea, Arsenal, Manchester United dhe City janë në garë për të siguruar shërbimet e tij. Blutë e Londrës madje I kanë ofruar lojtarit edhe 200 mijë paund në javë. Fabregas u transferua te Barcelona 3 vjet më parë si realizim të një ëndrre por në fakt aventura e tij te blaugranët u shoqërua me shumë ulje ngritje. Në 98 ndeshje të zhvilluara ai shënoi 28 gola.